Partizani dhe Vllaznia përballen në “Loro Boriçi” në kuadër të javës së 21-të të Kategorisë Superiore. Të kuqtë kërkojnë të dalin me tre pikët nga kjo transfertë tejet delikate në Shkodër, edhe pse statistikat në këtë transfertë nuk flasin për kryeqytetasit.
Sa i takon formacionit që do të zbresë në fushën e lojës, trajneri Oltijon Kërnaja pritet të bëjë disa konfigurime nga ndeshja me Teutën, ndoshta duke propozuar edhe një skemë ndryshe nga ajo e javëve të fundit.
Pritet rikthimi i mbrojtësit Altin Bytyçi në formacionin titullar duke qenë se mbrojtësi mungonte për shkak se kishte plotësuar numrin e tre kartonëve të verdhë. Sa i takon pjesës tjetër, si zakonisht portieri Qirko do të jetë mes shtyllave, në mbrojtje, Kola pritet të konfirmohet ashtu si edhe Sembene, ndërsa rikthehet Bytyçi.
Në krahun e djathtë si zakonisht Atanaskoski, ndërsa në mesfushë priten ndryshime me Ismali, Hjuman, Mehmeti dhe Qakën ndërsa në sulm pritet të konfirmohet dyshja Toma-Isgandarli.


