Vllaznia e femrave ka bërë detyrën dhe pa u sforcuar shumë duke e fituar edhe ndeshjen e dytë ndj Atletik Klub dhe duke u kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Sfida e parë në mes këtyre dy skuadrave e luajtur një javë më parë siç dihet u pat fituar me shifrat e thella 9-0.
Pikërisht si rrjedhojë e këtij rezultati, në takimin e sotëm stafi teknik i Vllaznisë i dha mundësinë kryesisht lojtareve të reja për të luajtur, duke filluar nga porta ku u aktivizua portierja e tretë Eriana Haxhija. Gjithsesi vajzat kuqeblu nuk e patën të vështirë të fitojnë, këtë herë me shifrat 3-0.
Në pjesën e parë ka shënuar Megi Doçi dhe Klaudia Borci, ndërsa në të dytën lojtarja e re Françeska Hila. Si rrjedhojë me këto dy fitore, Vllaznia e femrave e sheh veten në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë, ku kundërshtar i mundshëm i saj pritet të jetë Teuta e Durrësit.
Vllaznia në dy sezonet e fundit “hoqi dorë” nga ky kompeticion, edhe pas skualifikimit nga Federata Shqiptare e Futbollit për shkak të bojkotimit të një ndeshje dhe si rrjedhojë sivjet kërkon ta fitojë me çdo kush edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


