Java e 21-të e Kategorisë Superiore ka shënuar “pikën e vlimit” për tensionet në futbollin shqiptar. Zërat kritik kundër gjykimit janë amplifikuar, ndërsa presidentët e klubeve nuk kanë kursyer akuza ndaj homologëve dhe arbitrave, duke shndërruar median në arenë të debatit për drejtësinë sportive.
Tensioni nisi pas humbjes së Dinamos ndaj Elbasanit, ku drejtuesit e klubit shkaktuan debat për vendimet e arbitrave. Më pas u regjistrua një tjetër “konfrontim” publik mes presidentëve të Elbasanit dhe Egnatias, ku drejtuesi i rrogozhinasve, Demrozi, u quajt nga pala kundërshtare si “mjeshtër i presionit ndaj arbitrave”. Në këtë seri reagimesh nuk mungoi as presidenti i Vorës, Albert Xhabafti, i cili shprehu pakënaqësinë për vendimet e arbitrit Olsid Ferataj në ndeshjen me Teutën, gjatë një lidhjeje telefonike në emisionin “Skaner”.
Xhabafti kërkoi drejtësi dhe shpjegoi arsyet e vendimit të skuadrës së tij për të mos e kundërshtuar më tej rezultatin: “Tërheqja e skuadrës ndaj Teutës? E bëra këtë, sepse nuk është hera e parë që arbitri Ferataj ka gabuar kundër nesh. Ai ka dy penallti të padhëna ndaj Dinamos, ndërsa kur ka qenë VAR, ka anuluar një gol të rregullt me Teutën në Durrës. Dhe së fundmi, lojtari i Teutës, Votlai, dy minuta pas kartonit të verdhë, bëri një faull taktik, por arbitri e la pa ndëshkuar. Ne nuk mund të konkurrojmë me ekipet e mëdha, por me ata që luftojmë, mund të ishim pretendentë për vendin e katërt. Nuk bëhet ‘qameti’ kur del një ekip nga kategoria dhe nuk e meriton, por nuk duhet mbajtur me zor. Unë vetë jam tifoz i Tiranës, dhe kur nuk e meriton, nuk duhet të digjemi të gjithë, sepse e meritojnë të tjerët. Na kanë bërë shumë padrejtësi. Ferataj e ka shpallur vetë veten ‘non-grata’. Nuk ka fytyrë të vijë më këtu. Nëse ndodh një herë, falet, por ka disa raste që kanë ndodhur kundër nesh”, deklaroi Xhabafti.
Pas 21 javësh kampionat, Vora e trajnerit Arian Bellai qëndron në vendin e 7-të me 24 pikë, vetëm pesë larg zonës “së ftohtë”. Presidenti Xhabafti e theksoi rëndësinë e drejtësisë për objektivat e skuadrës dhe shpërtheu me tone kritike për mënyrën sesi arbitrimi po ndikon në rivalitetin e drejtë mes ekipeve në Superiore.


