Shkruar nga Endri ÇINARI
Erdenis Gurishta është një nga ata futbollistë që rrallëherë zë faqet e para të gazetave, por që brenda fushës ka qenë absolutisht thelbësor për Vllazninë në këtë edicion. Performanca e mbrojtësit shkodran, edhe pse shpesh në hije dhe pak e reklamuar në media, ka dhënë një siguri konstante në repartin defensiv të kuqebluve. Qetësia, leximi i lojës dhe përvoja e tij kanë qenë elementë kyç në ecurinë e skuadrës, sidomos në ndeshjet delikate ku detajet bëjnë diferencën.
Në pjesën e dytë të sezonit, Gurishta ka përjetuar edhe një ndryshim të rëndësishëm në aspektin taktik. Trajneri Martini i ka besuar atij një rol të “ri”, atë të qendërmbrojtësit të majtë në skemën me tre mbrojtës që po përdorin shkodranët. Një lëvizje që fillimisht mund të dukej risk, por që 30-vjeçari e ka përthithur me maturi dhe inteligjencë, duke u përshtatur shpejt me kërkesat e reja të sistemit.
Në këtë pozicion, numri “2” jo vetëm që nuk ka zhgënjyer, por ka treguar se është një zgjidhje më shumë se e vlefshme. Bashkëpunimi me Jagon në atë korsi ka krijuar një dyshe solide, e aftë të përballojë presionin dhe të mbyllë hapësirat me disiplinë taktike. Sinkronizimi mes tyre ka qenë i dukshëm, duke i dhënë Vllaznisë më shumë stabilitet dhe besim në fazën mbrojtëse.
Si zëvendëskapiten i ekipit, shkodrani përfaqëson edhe një pikë reference në aspektin e lidershipit. Edhe pse nuk është lojtari më i zëshëm apo më i spikatur në media, prania e tij në fushë dhe në dhomat e zhveshjes ka një peshë të veçantë. Ai është një nga ata elementë që mbajnë ekuilibrin e skuadrës dhe që shpesh bën punën “e padukshme”, por vendimtare për suksesin e ekipit.
Në fund, pavarësisht mungesës së bujës mediatike, Erdenis Gurishta mbetet një nga elementët më të rëndësishëm të Vllaznisë dhe një nga mbrojtësit më të spikatur të Superiores në rolin e tij. Me eksperiencën, fleksibilitetin taktik dhe korrektësinë në lojë, ai vazhdon të dëshmojë se vlera e një futbollisti nuk matet gjithmonë me tituj apo kopertina, por me kontributin real në fushë.


