Mario Mitaj padyshim është një ndër zbulimet e trajnerit Silvinjo. Mbrojtësi ka bërë paraqitje fantastike gjatë ndeshjeve për kualifikueset e Europianit. I ftuar në Podkastin me Edi Ramën, Mitaj u shpreh se në grup do të dëshironte Anglinë ose Francën.

Kryeministri Edi Rama: Aty në tribunë me presidentin, e kemi kështu si dobësi atë fashën e mbrojtjes majtas edhe po i thosha dje, se deri dje ne çdo ndeshje i thosha, “po mirë mo, ky si ka mundësi që nuk humb një top ky njeri? I vjen topi dhe sikur është në plazh, as ka emocione, as ka … Po u desh me prit Faroet që të humbje ca topa.

Mario Mitaj: Po, e vërtetë dhe mbrëmë kam bërë dhe gabime, po një herë në 5 ndeshje s’ka gjë. Gabime bëhen.

Kryeministri Edi Rama: Se ti më duket ke emocione kur s’duhet të kesh dhe s’ke emocione kur duhet të kesh. Po ça ishte ajo? S’ishe i përqendruar plotësisht a s’të pëlqente Uzuni atje majtas, a si ishte puna?

Mario Mitaj: Jo, Uzuni bënte lëvizje, po unë mbrëmë isha pak i papërqendruar. E kisha mendjen tek festa pas ndeshjes dhe…

Kryeministri Edi Rama: Ti luan me Lokomotivën e Moskës? Kush të çoi deri atje apo të morën “hajde se po e çojmë në një vend se s’kemi ku e çojmë”.

Mario Mitaj: Unë kam dashur të iki nga Greqia se s’kam luajtur dhe jashtë ka qenë e vetmja shpresë që kam pasur, kanë pasur mundësi të më blejnë.

Kryeministri Edi Rama: Po ti si e ke pasur përpara, kur shkove në Greqi apo linde atje?

Mario Mitaj: Unë kam lindur dhe jam rritur në Greqi

Kryeministri Edi Rama: Pra kanë qenë prindërit përpara.

Mario Mitaj: Po dhe kam jetuar gjithë jetën time në Greqi.

Kryeministri Edi Rama: Ku?

Mario Mitaj: Në Athinë. Pastaj vazhdova me një ekip të vogël. Kur isha 11 vjeç bëra provimet dhe më morën. Pastaj me moshën u bëra në ekip të parë. Në ekip të parë isha dy vite.

Kryeministri Edi Rama: Sa vjeç ishe?

Mario Mitaj: 17 vjeç firmosa kontratën e parë. Vitin e parë kam luajtur 13 ndeshje, gjë e madhe për mua. Vitin e dytë kanë ndryshuar trajnerët, skam luajtur shumë, kam qenë me ekipin e dytë. Kombëtarja më ka ndihmuar shumë më ka rritur vlerat. Vitin e tretë ika për në Rusi.

Kryeministri Edi Rama: Si është kampionati atje?

Mario Mitaj: I fortë shumë. Ka shumë skuadra të forta. Para luftës ka qenë kampionati i 6 më i fortë në botë. Ky është kampionat i fortë shumë.

Kryeministri Edi Rama: Edhe sezonet tani janë ndryshe. Domethënë, tani periudha e dimrit është pushim.

Mario Mitaj: Ata e kanë pushim gati një muaj, në janar është faza përgatitore dhe në mars vazhdon kampionati.

Kryeministri Edi Rama: Ti kë do në grup? Greqia iku?

Mario Mitaj: Jo ka shanse, mund të futet me play – off. Dua ndonjë ekip të fort. Ndonjë Francë, ndonjë Angli.

Kryeministri Edi Rama: Do Mbapen ti? Edhe pastaj ti thuash o Uzun hajde se nuk di ku iku ky. Hajde më ndihmo ta gjejmë.

Mario Mitaj: Pastaj dhe ndonjë ekip më të dobët në kuptimin e fjalës.

Kryeministri Edi Rama: Ne në ca fashe jemi? Të dytën?

Mario Mitaj: Po.