Thursday, February 12, 2026
FAQJA E PARE BASKETBOLLVllaznia e basketbollit për meshkuj në superformë, mposht edhe Yllin dhe regjistron...

Vllaznia e basketbollit për meshkuj në superformë, mposht edhe Yllin dhe regjistron fitoren e 10-të radhazi

Shkruar nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia e basketbollit për meshkuj po kalon një moment të jashtëzakonshëm forme. Skuadra kuqeblu nuk di të ndalet prej 10 ndeshjesh, duke regjistruar vetëm fitore në këtë seri mbresëlënëse. Suksesi i fundit erdhi mbrëmjen e së mërkurës, kur shkodranët mposhtën Golden Eagle Yllin e Suharekës me rezultatin 79-70.

Të drejtuar nga trajneri Eni Llazani, kuqeblutë hynë në këtë përballje me moral të lartë, pasi vetëm dy ditë më parë kishin fituar në mënyrë spektakolare ndaj Tiranës 85-82, rezultat që i ngjiti në vendin e dytë të Superligës. Megjithatë, triumfi ndaj ekipit kosovar merr një peshë edhe më të madhe, duke pasur përballë një nga skuadrat më cilësore të basketbollit në Kosovë, në përbërje të së cilës aktivizohen edhe lojtarë të Kombëtares.

Ndeshja nisi më mirë për Yllin, që fitoi periodën e parë 16-23. Vllaznia reagoi menjëherë në të dytën, duke e dominuar 21-11 dhe duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin 37-34. Momentet më të mira të shkodranëve erdhën në periodën e tretë, të cilën e fituan 21-16, duke e çuar diferencën deri në +12 pikë.

Perioda e katërt prodhoi rivalitet të fortë, me miqtë që në disa momente e ngushtuan diferencën deri në dy pikë, por në minutat vendimtare Vllaznia realizoi disa sulme radhazi dhe administroi epërsinë deri në mbylljen e ndeshjes 79-70. Kjo është fitorja e dytë radhazi e Vllaznisë në Ligën Unike, pas suksesit në transfertë ndaj Pejës, një tjetër emër i rëndësishëm i basketbollit rajonal. Forma aktuale konfirmon skuadrën e Eni Llazanit si pretendente serioze në të dy kompeticionet, si në kampionat ashtu edhe në Ligën Unike.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments