Shkruar nga Gjergj KOLA
Në Shkodër, thuajse të gjitha sportet në historinë 107-vjeçare të Vllaznisë kanë qenë elitare në periudha të ndryshme dhe kanë nxjerrë nga radhët e tyre sportistë që i kanë bërë nder jo vetëm këtij qyteti, por edhe Shqipërisë.
Dhe një ndër sportet më të suksesshme, padyshim, ka qenë edhe ai i notit. Pjesë e tij kanë qenë sportistë e trajnerë që kanë lënë gjurmë me sukseset e tyre në vite dhe, në fakt, numri i tyre, për fat të mirë, është i madh.
Por sot do të ndalemi tek njëra prej tyre, Anila Egerçi. Kjo sepse pikërisht sot ajo ka ditëlindjen. Feston 54-vjetorin e lindjes dhe, me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Ajo ka lindur në Shkodër më 13 shkurt 1972 dhe me sportin e notit u angazhua që në moshë të vogël, teksa menjëherë do të spikaste për talentin e saj, duke nisur shpejt të shkruajë emrin me germa të arta në historinë e këtij sporti.
Anila Egerçi do të bëhej shumë shpejt një emër i dashur për të gjithë, sepse është kampione dhe rekordmene e padiskutueshme në garat e 100 dhe 200 metrave stil i lirë në vitet 1985-1990. Po ashtu, ajo ka marrë pjesë edhe në shumë gara të gjata si dhe maratona, teksa nuk i kanë munguar rezultatet.
Ka fituar titullin “Mjeshtre Sporti” në bazë të rezultateve të larta të arritura. Ka vijuar të merret me sport deri në fillimin e viteve ’90, duke thyer gjatë kësaj periudhe një numër shumë të madh rekordesh dhe duke fituar tituj kampione.
Ndërkohë, në vitin 2019, në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Vllaznisë, Anila Egerçi është vlerësuar nga Bashkia Shkodër dhe SK Vllaznia me titullin “Mirënjohje” si “notarja e shekullit”.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


