Shkruar nga Endri ÇINARI
Një përballje gjithmonë e ndezur dhe me peshë në futbollin shqiptar është ajo mes Vllaznisë dhe Elbasanit. Dy skuadra me histori dhe objektiva madhorë janë ndeshur shpesh në dy dekadat e fundit, me bilanc që deri së fundmi fliste qartazi në favor të kuqebluve. Por suksesi i fundit i Elbasanit duke se ka ndryshuar pak “syrin e keq” për verdheblutë.
Në kuadër të javës së 15-të të Superiores, më 8 dhjetor 2025, Elbasani triumfoi 1-0 ndaj Vllaznisë, duke marrë një fitore me peshë jo vetëm për objektivat sezonalë, por edhe për historinë e përballjeve direkte. Ky sukses i dha fund një ecurie të gjatë 19-vjeçare pa fitore ndaj shkodranëve.
Që prej rikthimit në elitë nën emrin AF Elbasani, dy skuadrat janë përballur 8 herë në kampionat dhe Kupë. Bilanci tashmë regjistron 2 fitore për Vllazninë, 5 barazime dhe 1 fitore për Elbasanin – kjo e fundit e ardhur pikërisht në sfidën e 8 dhjetorit 2025. Kujtojmë se në fazën e parë të këtij sezoni, Vllaznia kishte triumfuar 1-0 në “Loro Boriçi”, falë një goli të Jagos.
Në dy edicionet e fundit janë regjistruar edhe 5 barazime mes skuadrave, dy prej të cilave në Kupë, ku megjithatë kualifikimi buzëqeshi për shkodranët. Një tregues i ekuilibrave në rritje mes dy ekipeve, sidomos me rikthimin e Elbasanit si forcë pretendente në elitë.
Nëse i referohemi më herët historisë, kur klubi mbante emrin KF Elbasani, nga viti 2006 deri në vitin 2020 janë zhvilluar 22 ndeshje mes tyre në kampionat dhe Kupë. Dominimi i Vllaznisë në këtë periudhë ka qenë i theksuar: 16 fitore për kuqeblutë dhe 6 barazime, ndërsa Elbasani nuk kishte arritur të fitonte asnjëherë. Suksesi i fundit i verdhebluve para këtij sezoni datonte më 26 shkurt 2006, me rezultatin 1-0, në sezonin kur Elbasani u shpall kampion i Shqipërisë (2005-06).
Kësisoj, për 19 vite me radhë Vllaznia kishte ruajtur një rekord të pathyeshëm ndaj Elbasanit. Por fitorja e 8 dhjetorit 2025 e theu këtë seri historike, duke rihapur një kapitull të ri në rivalitetin mes dy skuadrave. Statistikat tregojnë për një epërsi të qartë të kuqebluve në vite, por suksesi i fundit i Elbasanit dëshmon se verdheblutë janë rikthyer fuqishëm dhe tashmë jo vetëm sfidojnë traditën, por synojnë të shkruajnë histori të re në Superiore.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


