Ueston MekKeni ka gjetur akordin me Juventusin dhe shumë shpejt do të zyrtarizohet edhe rinovimi i kontratës deri në vitin 2030 me bardhezinjtë nga futbollisti amerikan.
Sipas mediave italiane, lojtari do të ketë një përmirësim të ndjeshëm të kontratës aktuale në parametrat financiare, nga 2,5 milionë euro që përfiton aktualisht, në 4 milionë euro fikse dhe shifrën që shkon deri në 5 në bazë të bonuseve dhe paraqitjeve. Një vlerësim i Juventusit për lojtarin, duke parë se ai praktikisht ka bërë çdo gjë në fushën e lojës për këtë skuadër.
MekKeni ka mbërritur te Juventusi në verën e vitit 2020 dhe mesfushori me nofkën “Herri Poter” në këto 5 vite, pa disa muaj si huazim te Lids, ka bërë praktikisht gjithçka në fushën e lojës në 220 ndeshje me ekipin, ku në 170 ka qenë titullar.
Rezulton se ai ka luajtur ndeshje duke u aktivizuar në të gjitha pozicionet e mundshme nën drejtimin e trajnerëve të ndryshëm, që kanë qenë në stolin e Juventusit, edhe të qendërsulmuesit si në rastin e sfidës me Gallatasarajn. Të vetmet pozicione që nuk ka luajtur asnjëherë janë ai i qendërmbrojtësit dhe i portierit.


