Tuesday, March 3, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENdeshja e kupës, Vllaznia pritet me ndryshime

Ndeshja e kupës, Vllaznia pritet me ndryshime

Shkruar nga Endri ÇINARI

Në prag të ndeshjes së kthimit të çerekfinales së Kupës së Shqipërisë ndaj Bylis, në kampin e Vllaznisë mbizotëron optimizmi, por edhe përqendrimi maksimal. Shkodranët rikthehen në “Loro Boriçi” pas fitores 0-1 në transfertë, një rezultat që i ka vendosur në pozita të favorshme për të siguruar një biletë për në gjysmëfinale.

Megjithatë, brenda grupit askush nuk e konsideron të mbyllur çështjen e kualifikimit.
Trajneri Edi Martini pritet të bëjë disa lëvizje në formacion, duke parë edhe kalendarin e ngjeshur që e pret skuadrën në javët në vijim. Me ndeshje të rëndësishme si në kampionat ashtu edhe në Kupë, tekniku duket i vendosur të menaxhojë me kujdes forcat e titullarëve të zakonshëm, duke u dhënë hapësira lojtarëve që kanë pasur më pak minuta deri tani.

Ndryshimet priten të nisin që nga porta, aty ku Jukaj është gati të marrë vendin mes shtyllave. Një lëvizje që jo vetëm i jep pushim titullarit të zakonshëm, por edhe i jep mundësi gardianit të ri të tregojë vlerat e tij në një ndeshje me peshë. Në repartin defensiv, emra si Çelikoviç apo Pusi pritet të jenë nga minuta e parë, duke sjellë freski dhe energji në prapavijë.

Edhe mesfusha mund të ketë fytyrë të re. Sala apo Tafili janë kandidatë potencialë për të nisur si titullarë, në një repart ku balanca dhe intensiteti do të jenë kyçe për të kontrolluar ritmin e lojës. Martini kërkon një skuadër që të mos mjaftohet me avantazhin e ndeshjes së parë, por të diktojë lojën dhe të mos lejojë surpriza nga ballshiotët.

Në repartin ofensiv, Dodaj pritet të jetë zgjedhja nga minuta e parë. Sulmuesi do të ketë përgjegjësinë për të konkretizuar rastet dhe për t’i dhënë qetësi skuadrës me një gol të mundshëm që do ta afronte edhe më shumë me objektivin. Përballë një kundërshtari që do të kërkojë të përmbysë rezultatin, Vllaznia synon të shfrytëzojë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve për të vulosur kalimin në gjysmëfinale.

Objektivi është i qartë: kalimi i turit dhe vazhdimi i rrugëtimit në Kupë. Me avantazhin minimal nga ndeshja e parë dhe me rotacionin e menduar me kujdes, shkodranët duken të vendosur të hedhin hapin e radhës drejt trofeut, duke konfirmuar ambiciet e tyre në këtë sezon.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments