I lindur në Shkodër dhe i formuar si futbollist te Vllaznia, Flori Spahija po e shijon maksimalisht eksperiencën e tij në futbollin kosovar.
“Më pëlqen aq shumë, sa i them familjes: hajdeni edhe ju në Kosovë”, është shprehur ai në një intervistë për Gazetën Express.
22-vjeçari shkodran, i cili aktivizohet si mbrojtës i majtë te Vjosa në Ligën e Parë të Kosovës, ka folur për eksperiencën e tij në futbollin kosovar, kalimin nga Vllaznia te Prishtina, huazimin te Vjosa, si dhe për synimet personale dhe ato të ekipit.
Gjatë verës, Spahija u largua nga Vllaznia – klubi ku u rrit si futbollist që nga akademia e deri te ekipi i parë – për t’iu bashkuar Prishtinës. Megjithatë, menjëherë pas transferimit, ai u huazua te Vjosa në Ligën e Parë, një vendim që sipas tij rezultoi i duhuri.
“Vija nga një dëmtim shumë i rëndë në fillimin tim tek Vllaznia. Pavarësisht se kisha disa oferta nga Superliga shqiptare, dëshira ime ishte të lëvizja. Shokët e skuadrës nga Kosova më kishin folur shumë mirë për kampionatin kosovar dhe sidomos për Prishtinën. Më pritën shumë mirë dhe u ndjeva si në shtëpinë time. Koha e gjatë e rikuperimit kërkonte që të luaja sa më shumë, prandaj ramë dakord me drejtuesit e Prishtinës që të huazohesha te Vjosa, në mënyrë që të rikthehesha në formën më të mirë. Besoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur”, është shprehur Spahija fillimisht.
Fillimisht, huazimi i tij te Vjosa ishte vetëm për gjashtë muaj, por më pas palët vendosën ta zgjasin edhe për gjashtë muaj të tjerë.
“Tek Vjosa kam gjetur një mikpritje shumë të mirë. Aktivizimi i vazhdueshëm më ka ndihmuar shumë që të rifitoj besimin dhe formën time. Kontrata e huazimit më përfundonte në dhjetor, por stafi teknik, shokët e skuadrës dhe lojtarët e ardhur në merkaton e dimrit më motivuan edhe më shumë për të qëndruar dhe për të dhënë maksimumin për këtë ekip. Besoj se po ia dalim të gjithë së bashku”, tha ai.
Duke folur për objektivat e Vjosës në pjesën e mbetur të sezonit, Spahija thekson se skuadra ka bërë progres të dukshëm.
“Siç dihet, Vjosa u ndërtua si ekip vetëm pak ditë para fillimit të kampionatit dhe faza e parë ishte e vështirë. Por me ardhjen e trajnerit të ri, Megzon Visoka, dhe me disa përforcime në dhjetor, gjërat kanë ndryshuar shumë. Stafi teknik dhe lojtarët kanë bërë një punë të shkëlqyer. Punojmë shumë dhe rezultatet po duken. Asnjë ekip në ligë nuk do ta ketë të lehtë përballë Vjosës deri në fund të kampionatit”, u shpreh ai.
Sa i përket synimeve personale, mbrojtësi shkodran thekson se fokusi i tij është të ndihmojë ekipin.
“Momentalisht po punoj fort dhe mundohem të jap më të mirën për Vjosën”, shtoi ai.
Në fund të intervistës, Spahija vlerësoi edhe rolin e trajnerit në ecurinë e tij.
“Trajneri Megzon Visoka dhe i gjithë stafi i Vjosës më kanë qëndruar shumë pranë dhe më kanë ndihmuar shumë në aspektin profesional”, përfundoi ai.
Flori Spahija ka qenë pjesë edhe e kombëtareve të moshave të Shqipërisë, duke luajtur më parë për ekipet U17 dhe U19, ndërsa ka regjistruar edhe një paraqitje me përfaqësuesen U21.
Aktualisht, Vjosa renditet në vendin e 12-të në Ligën e Parë të Kosovës, me 26 pikë të grumbulluara pas 24 javësh.


