E kishin menduar ndryshe ngaqë e kishin mundur fazën e parë 3-2 brenda në Durrës, por sot ishte histori tjetër. Në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” këtë herë ka qenë Teuta që ka fituar 3-1 ndaj Vllaznisë dhe ajo çfarë është më e keqja, durrsaket sigurojnë vendin e gjashtë dhe hyjnë në play-off, ndërsa shkodranet do të jenë të detyruara të luajnë në play-out për të mos rënë nga kategoria!!!
Një humbje që ka mërzitur pa masë stafin teknik dhe veçanërisht trajnerin Dorian Tafa i cili mes shumë vështirësish, shpresoi shumë që ta çonte në play-off ekipin të cilin ai drejton, por nuk ia doli në fund.
Në ndeshjen e sotme, Teuta fitoi setin e parë 25-22 ndërsa Vllaznia reagoi në të dytin duke e fituar 25-23 dhe duke barazuar numrin e seteve. Kjo dha shpresë se gjërat do të ndryshonin në setin e tretë por janë miket që e fitojnë lehtësisht 25-15. Në të katërtin ndërkohë është sërish Teuta gjithnjë në avantazh, megjithatë Vllaznia nuk heq dorë lehtë dhe arrin të barazojë deri në 24-24, por vetëm kaq.
Ekipi durrsak fitoi në fund 26-24 dhe kësisoj krejt ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 3-1. Në këtë mënyrë, ai u ngjit në kuotën e 13 pikëve duke “salduar” vendin e gjashtë në renditje, ndërsa shkodranet mbesin me vetëm 9 pikë në vendin e shtatë dhe tashmë i duhet të luajë në play-out për të mos rënë nga kategoria.
Vërtetë zhgënjimi ka qenë i pranishëm pas ndeshjes tek trajneri Tafa, por në fakt ka qenë i pritshëm sepse ekipi këtë sezon ka kaluar shumë probleme. Vërtetë u arrit marrja e tre lojtareve të huaja (niveli i tyre në fakt deri diku ka lënë për të dëshiruar), por pjesa tjetër e ekipit ka qenë e përbërë nga vajza të reja. Madje mund të themi shumë të reja në moshë.
Për ta vërtetuar këtë gjë mjafton të përmendim faktin që në fushë si lojtare titullare në këtë ndeshje në rolin e pasueses së parë ka qenë një 13 vjeçare si Nicole Cico. Po, po, vetëm 13 vjeçe!!! Por nuk është vetëm Cico e datëlindjes 2013, por nuk është vetëm ajo sepse sot luajti edhe një tjetër lojtare e datëlindjes 2012, e kështu me rradhë.
Jo më kot trajneri Tafa pas ndeshjes është shprehur se në këtë mënyrë nuk mund të vazhdohet më tej. Megjithatë për momentin, fokusi i tij është ta shpëtojë skuadrën nga rënia prej kategorisë sepse po të ndodhte edhe kjo, do të ishte një fatkeqësi e madhe për volejbollin shkodran.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


