Në futbollin botëror, gjithnjë e më rrallë mbeten hapësira të sigurta kur tensionet gjeopolitike shpërthejnë përtej kufijve të sportit. Një situatë e tillë po zhvillohet aktualisht me Iranin, i cili siguroi kualifikimin në fushë për Kupën e Botës 2026, por tashmë përballet me një pasiguri serioze mbi pjesëmarrjen. Edhe pse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka shprehur së fundmi besim se Irani do të marrë pjesë në turneun që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme tregojnë një realitet shumë më kompleks.
Konfliktet e vazhdueshme dhe operacionet ushtarake në rajon, përfshirë tensionet me Izraelin dhe vende të tjera, hedhin dyshime të mëdha mbi mundësinë logjistike dhe të sigurisë për udhëtimin dhe qëndrimin e ekipit iranian.
Skuadra iraniane është planifikuar të luajë ndeshje në qytetet amerikane, por në kushtet aktuale, këto plane mbeten të paqarta. Në të njëjtën kohë, deklaratat e ministrit iranian të sportit, Ahmad Donyamali, kanë shtuar më tej pasigurinë, duke vënë hapur në dyshim pjesëmarrjen që në mars të vitit të kaluar. Çështja tashmë nuk është vetëm diplomatike, por edhe një sfidë serioze sigurie dhe organizimi për FIFA-n.
Megjithatë, organizmi i futbollit botëror nuk ka vendosur një afat përfundimtar për tërheqjen e mundshme të një kombëtareje. Sipas rregullores, FIFA ka të drejtën të vendosë për zëvendësimin e një skuadre në rast përjashtimi apo tërheqjeje.
Në këtë skenar, në skenë del Italia si kandidatja kryesore për të marrë vendin e Iranit. Me një histori të pasur, prestigj ndërkombëtar dhe një renditje të lartë mes skuadrave të pakualifikuara, Italia shihet si opsioni më i mundshëm. Për më tepër, zhvillimet e fundit në drejtimin e FIGC dhe raportet me drejtuesit e futbollit europian mund të ndikojnë në vendimmarrje.
Megjithatë, alternativa nuk përjashton edhe kombëtare nga kontinente të tjera. FIFA po shqyrton edhe mundësinë e përfshirjes së një ekipi afrikan, duke pasur parasysh natyrën fleksibël të rregullores dhe situatën e pazakontë. Kupa e Botës 2026 zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Kanada dhe Meksikë.


