Dinamo barazoi me shifrat 1-1 përballë Vllaznisë, në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Baraspesha erdhi në “frymën e fundit”, kur Dejvi Bregu ktheu në gol një penallti në minutën e 102-të.
Por, ai gol u shoqërua me gjest të turpshëm nga ana e sulmuesit vlonjat. Pasi tundi rrjetën e portës së mbrojtur nga Aron Jukaj, Bregu pështyu dhe më pas ofendoi, duke kaluar në gjest anti-sportiv.
Një gjest që padyshim duhet të bëhet objekt diskutimi dhe ndëshkimi nga Komisioni i Disiplinës sepse është vërtetë i shëmtuar dhe i dënueshëm. Për më tepër, nuk i falet një lojtari me përvojë si Bregu ndaj një portieri 20 vjeçar si Jukaj, faji i vetëm i të cilit ishte se ia priti penalltinë e parë!!!
Kujtojmë që pas këtij episodi ndeshja u mbyll, duke bërë që ekipet të bënin “paqe”. Sfida e kthimit do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, më datë 23 prill, ku do të vendoset finalisti.


