Vllaznia futsall ka marrë një barazim me vlerë në ndeshjen e rradhës për kampionat, atë ndaj Tiranës e luajtur mbrëmjen në sallën sportive “Feti Borova” të kryeqytetit. Në fakt kjo ndeshje në kalendar ka qenë e planifikuar të luhej në Shkodër, por për shkak të zënies së pallatit të sportit “Qazim Dervishi” me aktivitetin e Memorialit Ndërkombëtar të boksit, dy ekipet kanë rënë dakord që ndeshja të luhej këtë herë në kryeqytet dhe fazën tjetër të luhet në Shkodër.
Takimi është shoqëruar nga një rivalitet i fortë në mes dy ekipeve. Fillimisht ka qenë Mezini që ka kaluar në avantazh Tiranën, por ka barazuar shumë shpejt Ari Djepaxhia për Vllazninë. Bardheblutë nuk hoqën dorë nga dëshira për ta fituar këtë ndeshje dhe si rrjedhojë shënojnë sërish me Mezinin dhe më pas ka edhe një autogol të Gokajt.
Si rrjedhojë pjesa e parë e ndeshjes do të mbyllej me epërsinë e Tiranës në shifrat 3-1. Megjithatë kuqeblutë reaguan në pjesën e dytë dhe fillimisht arritën të shënojnë edhe dy gola të tjerë, sërish me të njëjtin autor- Djepaxhinë që kësisoj plotësoi tripletën e tij në këtë takim, duke barazuar shifrat në 3-3.
Por Vllaznia nuk do të ndalej këtu sepse Gokaj do të shënonte edhe golin e katërt në minutën e fundit, por Alibegu barazoi në 4-4 shifrat. Kur u duk se ndeshja do të mbyllej në barazim, në fakt do të ishte sërish Semir Gokaj që do të shënonte edhe golin e pestë për Vllazninë, por nuk do të mbyllej këtu sepse Tirana do të barazonte sërish me Mezinin dhe në këtë mënyrë i gjithë takimi do të mbyllej në barazim 5-5.
Pas javës së tretë të kampionatit, Vllaznia kryeson e vetme renditjen me 7 pikë, e ndjekur nga Tirana me 4 pikë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


