Departamenti i Garave në FSHF ka zyrtarizuar kalendarin e fazës “Final 4” për kampionatin e vajzave, fazë që do të përcaktojë skuadrën kampione për edicionin 2025/2026.Sipas rregullores, katër ekipet e renditura në vendet e para në përfundim të sezonit të rregullt do të sigurojnë pjesëmarrjen në këtë fazë finale.
Ajo që të bën përshtypje është se nëse tek meshkujt, Federata ka vendosur që ta ndryshojë skemën e “Final 4” dhe tashmë të paktën gjysma e pikëve të ruhet, e po ashtu të ketë ndeshje në mes katër skuadrave, tek femrat sërish ka mbetur skema e vjetër. Që do të thotë se 8 pikët që aktualisht Vllaznia ka epërsi ndaj ndjekëses më të afërt, të mos vlejnë fare sepse ato zerohen. Një skemë disi e çuditshme që nuk dihet pse ka mbetur sërish në fuqi tek femrat dhe po ashtu nuk dihet nëse do tv vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ndeshjet e “Final 4” do të zhvillohen në periudhën 17–29 maj. Takimet e para gjysmëfinale janë planifikuar më 17 maj dhe do të luhen në fushat e skuadrave të renditura më poshtë në klasifikim, ndërsa sfidat e kthimit do të zhvillohen më 23 maj.
Ndeshja finale për vendin e tretë dhe të katërt do të luhet më 28 maj, ndërsa finalja e madhe për titullin kampion është programuar më 29 maj, në ora 17:00. Të dyja finalet do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”, duke kulmuar sezonin me një event të rëndësishëm për futbollin e vajzave.
Shorti për përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste do të hidhet më 11 maj në “Shtëpinë e Futbollit”.
Si funksionon “Final 4”
Në fazën “Final 4” marrin pjesë katër skuadrat më të mira të sezonit të rregullt. Ekipet ndahen në dy vazo: vazo 1 (vendi i parë dhe i dytë) dhe vazo 2 (vendi i tretë dhe i katërt). Përmes shortit përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste.
Gjysmëfinalet zhvillohen me sistem vajtje-ardhje. Në rast barazimi të pikëve pas dy ndeshjeve, kualifikohet skuadra e renditur më mirë në klasifikimin e sezonit të rregullt.
Skuadrat fituese të gjysmëfinaleve përballen në finalen për titullin kampion, ndërsa ekipet humbëse luajnë për vendin e tretë, duke përmbyllur kështu një sezon konkurrues dhe në rritje për futbollin e vajzave në Shqipëri.


