Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia vijon të shfaqë dy “fytyra” të ndryshme këtë sezon, sidomos kur bëhet fjalë për përballjet me ekipet e kreut. Nëse në “Loro Boriçi” kuqeblutë duken të pathyeshëm dhe imponojnë ritmin e tyre ndaj çdo rivali, në transfertë historia ndryshon ndjeshëm. Statistikat tregojnë qartë se skuadra e drejtuar nga Martini has vështirësi serioze në duelet jashtë Shkodrës ndaj kundërshtarëve që kryesojnë kampionatin ose janë pjesë e katërshes së parë.
Në gjashtë përballje të tilla në transfertë, Vllaznia ka arritur të marrë vetëm një fitore, një bilanc që flet shumë për ecurinë e saj në këto sfida direkte. Një tregues i qartë se, pavarësisht cilësive dhe potencialit që ka skuadra, diçka mungon kur bëhet fjalë për ndeshjet më të forta larg shtëpisë.
Ndaj Egnatias në Rrogozhinë, kuqeblutë kanë regjistruar dy barazime, fillimisht një 0-0 pa shumë emocione dhe më pas një 2-2 më spektakolar. Dy rezultate që, megjithëse shmangin humbjen, nuk i japin Vllaznisë atë shtysë të nevojshme për të konsoliduar pozitat në krye të renditjes.
Ndërkohë, përballjet me Dinamon kanë prodhuar rezultate të kundërta. Një humbje 3-1 në një takim ku shkodranët u shfaqën të brishtë në prapavijë dhe një fitore 0-2 në duelin e dytë, e cila mbetet edhe e vetmja fitore e Vllaznisë në transfertë ndaj një rivali direkt të kreut. Një sukses që tregoi potencialin real të skuadrës, por që nuk u pasua me vazhdimësi.
Edhe më të vështira kanë qenë sfidat ndaj Elbasanit, skuadër që së fundmi i rrëmbeu vendin e parë Vllaznisë. Dy humbje në transfertë, 1-0 në fazën e dytë dhe 3-1 në fazën e katërt, konfirmojnë vështirësitë e kuqebluve për të përballuar presionin në ndeshje të tilla direkte jashtë fushës së tyre.
Kjo panoramë krijon idenë e një “dobësie” të dukshme të Vllaznisë në transfertë ndaj rivalëve kryesorë, një kontrast i fortë me paraqitjet në shtëpi, ku skuadra ka dominuar bindshëm dhe nuk njeh humbje në përballjet me ekipet e kreut. Për të mbetur pretendente serioze për titullin, Martini dhe të tijtë do të duhet të gjejnë zgjidhje për këtë hendek performance, pasi pikërisht këto ndeshje janë ato që bëjnë diferencën në fund të sezonit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


