Friday, May 1, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVIDEO/ Gurishta: Kemi luajtur vetëm dhe pa aleanca, por Vllaznia do ta...

VIDEO/ Gurishta: Kemi luajtur vetëm dhe pa aleanca, por Vllaznia do ta rimarrë sërish kreun

Shkruar nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia do të luajë të shtunën ndeshjen e rradhës për kampionat me Bylisin. Në prag të këtij dueli, mbrojtësi i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, doli në konferencën e zakonshme për shtyp. Mbrojtësi shkodran foli për situatën psikologjike pas dy humbjeve shumë të rëndësishme, siç ishin ato ndaj Dinamos dhe Elbasanit. Ai tha se me Bylisin duhet të merren tre pikët medoemos për të rikthyer moralin dhe entuziazmin tek ekipi.

“Pjesa psikologjike në këtë moment nuk është ajo e duhura. Megjithatë, nuk ka mbaruar akoma asgjë. Duhet medoemos të merren tre pikët me Bylisin për të rikthyer moralin dhe entuziazmin tek ekipi. Nuk ka vend për zhgënjim, sepse kemi edhe tre ndeshje përpara dhe Final Four.”

Gurishta foli edhe për faktin që me Bylisin do të luftojnë vetëm për fitore, ndërsa shtoi se pavarësisht se janë të vetëm në garë dhe pa aleatë, shkodranët nuk do të dorëzohen dhe do të vazhdojnë luftën për titull, edhe pse lëshuan kreun e renditjes.

“Bylisi duhet vlerësuar maksimalisht. Duhet të kemi vlerësimin dhe seriozitetin e duhur gjatë ndeshjes. Është ndeshje e vështirë. Bylisi meriton vlerësim maksimal, sepse ka futbollistë cilësorë brenda ekipit të tij. Për ne, është i vlefshëm tre-pikëshi dhe duhet ta marrim me çdo kusht. A ka aleatë Vllaznia? Vllaznia ka luajtur vetëm pa aleanca. Në qoftë se e meritojmë për ta marrë titullin kampion, do ta marrim pa i thënë faleminderit askujt. Jemi vetëm në këtë garë dhe në fushën e lojës. Përgjatë gjithë sezonit, e kemi merituar që të jemi në krye të tabelës. Kemi qenë shumicën e kohës aty.

Ndoshta, herë pas here për gabimet tona apo për mungesë përqendrimi e kemi humbur vendin e parë, por gjithsesi jemi në lojë. Nuk na interesojnë ekipet e tjera. Nuk na interesojnë llogaritë e ekipeve të tjera. Ne jemi në lojë për nëntë pikë dhe në qoftë se i marrim këto nëntë pikë, jam i sigurt që do të jemi në vendin e parë dhe do të shkojmë në Final Four me një motivim tjetër dhe me një moral tjetër.”

Vllaznia synon një reagim të menjëhershëm këtë fundjavë me Bylisin, në një ndeshje që konsiderohet vendimtare për vijimësinë e objektivave sezonalë.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments