“Final 4” për vajza hyn në fazën vendimtare këtë të shtunë, teksa do të luhen ndeshjet e dyta gjysmëfinale që do të përcaktojnë dy skuadrat finaliste të këtij edicioni. Përballjet pritet të sjellin emocione dhe rivalitet të fortë, me katër ekipet që synojnë biletën për finalen e madhe.
Në fushën sportive “Reshit Rusi”, në ora 13:00, Vllaznia pret Gramshin, me skuadrën shkodrane që vjen me avantazhin minimal 1-0 të sfidës së parë. Kampionet në fuqi do të synojnë të administrojnë rezultatin dhe të sigurojnë kualifikimin, ndërsa vajzat gramshiote do të kërkojnë përmbysjen për të mbajtur gjallë ëndrrën e finales. Megjithatë duhet pranuar se ekipi shkodrran konsiderohet favorit jo vetëm për kalimin në finale, por edhe për t’u shpallur kampion edhe këtë sezon.
Sfida tjetër gjysmëfinale mes Apolonisë dhe Teutës do të zhvillohet në stadiumin “Loni Papuçiu” në orën 16:00. Pas barazimit 1-1 në takimin e parë, gjithçka mbetet e hapur në këtë duel, me fieraket që do të mbështeten te faktori fushë, ndërsa durrsaket synojnë të kurorëzojnë një sezon pozitiv me kualifikimin në finalen e madhe.


