Shkruar nga Gjergj KOLA
Dita e sotme ka qenë ditë feste për ekipet Akademisë së KF Shkodra. Përpos atij U17, ka festuar titullin kampion të kategorisë së parë edhe ekipi U16 i drejtuar nga trajneri Rudi Piraniqi. Ai ka bërë një paraqitje shumë të mirë duke patur një ecuri të shkëlqyer dhe si rrjedhojë nuk e ka vënë për asnjë moment në dyshim ruajtjen e vendit të parë.
Në 26 javë kampionat ky ekip ka patur një bilanc shumë pozitiv prej 24 fitoresh, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje si dhe me golaverazhin e shkëlqyer 70-12. Kuptohet që një ecuri e tillë bëri që KF Shkodra të shkëputej nga rivalja e saj kryesore- Vora dhe të shohë vetëm përpara.
Kupa e ekipit kampion i është dorëzuar kapitenit nga nënkryetari i Bashkisë Shkodër Rudin Beka, gjatë ceremonisë së zhvilluar ditën e sotme në fushën sportive të Shtojit.
Sezonin e ardhshëm KF Shkodra U16 do të jetë në kampionatin e Superiores në mes skuadrave më të mira të vendit dhe kuptohet që vështirësitë do të rriten, megjithatë futbollistët dhe stafi teknik i kësaj skuadre do të dinë të tregojnë vlerat e tyre edhe në këtë kampionat.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


