Wednesday, June 3, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREGjermania nis misionin për yllin e pestë botëror, Nojer pritet të luajë...

Gjermania nis misionin për yllin e pestë botëror, Nojer pritet të luajë në miqësoren kundër SHBA-së

Retë e errëta kërcënuese mbi aeroport dhe erërat e forta në pistë pothuajse e penguan nisjen e aventurës së Kupës së Botës. Pak para orës 13:30, trajneri i kombëtares gjermane, Julian Nagelsman, dhe lojtarët e tij, me valixhet në duar, ecën nga dy autobusët nëpër pistë drejt avionit. Madje pati kohë edhe për një foto grupi me presidentin e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Bernd Nojendorf. Në regjistrimin për fluturimin LH 434 në portën Z16 të Terminalit 1, Nagelsman nuk kishte nevojë të priste ndonjë lojtar të ri.

Në avionin nga Frankfurti drejt Çikagos të martën ndodheshin të gjithë futbollistët që ai kishte përzgjedhur për misionin drejt yllit të pestë botëror, të cilët i kishte grumbulluar dymbëdhjetë ditë më parë. Vetëm pak orë më herët, DFB konfirmoi se nuk do të bënte asnjë ndryshim në skuadrën e shpallur. Ndërkohë, emocionet për Kupën e Botës rriteshin me çdo orë fluturimi mbi Atlantik.

“Ethet e Kupës së Botës po bëhen gjithnjë e më të forta. Kur të jemi realisht në Amerikë, do të jetë diçka gjigante,” tha sulmuesi Deniz Undav para nisjes për në SHBA. Ashtu si lojtari i Shtutgartit, edhe pjesa tjetër e futbollistëve kryesor të skuadrës, ndanin të njëjtin entuziazëm. Delegacioni gjerman përbëhet nga 26 lojtarë të nominuar plus portieri stërvitor Jonas Urbig.

Megjithatë, njëri prej tyre do tu bashkohet shokëve vetëm pas mbërritjes në SHBA.

“Sigurisht që pritshmëritë janë shumë të mëdha,” tha Kai Havertz, i cili udhëtoi veçmas drejt Çikagos pas finales së Ligës së Kampionëve. Për fat të keq, Havertz humbi mbrëmjen e fundit të ekipit në tokën gjermane. Në restorantin aziatik “Zenzakan” në Frankfurt, lojtarët dhe familjet e tyre u mblodhën të hënën për sushi dhe specialitete të pjekura në zgarë, duke forcuar unitetin para turneut. Akomodimi i tyre i parë në Çikago, qytet që nuk është mikpritës i ndeshjeve të Kupës së Botës, do të jetë hoteli Valdorf Astoria.

Të shtunën, Gjermaninë e pret prova gjenerale para Kupës së Botës kundër bashkëorganizatorit SHBA. Pas fitores bindëse 4-0 ndaj Finlandës të dielën e kaluar, Nagelsman pret një test shumë më serioz. Manuel Nojer pritet të jetë në portë. Nëse portieri është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi në pulpë, ai do të mbroj portën gjermane për herë të parë që nga viti 2024.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments