Sot, më 7 qershor, në Kosovë u zhvillua Kampionati Ballkanik i Çiklizmit, një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të rajonit, ku morën pjesë përfaqësues nga 10 shtete të Ballkanit.
Gara elitare, me një distancë prej 156 kilometrash, u karakterizua nga rivalitet i fortë dhe ritëm i lartë, veçanërisht nga skuadrat profesioniste të Turqisë dhe Rumanisë, të cilat tentuan disa herë të marrin kontrollin e garës, por pa sukses.
Megjithatë, ekipi kombëtar shqiptar zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer taktike, duke neutralizuar vazhdimisht sulmet e kundërshtarëve dhe duke mbajtur nën kontroll situatën gjatë gjithë garës. I gjithë ekipi ynë kombëtar vendosi që skuadra të punonte për Valentino Kamberajn, duke vlerësuar formën e tij të shkëlqyer dhe shanset më të mëdha për fitore.
Gjatë gjithë garës, çiklistët shqiptarë u angazhuan maksimalisht për ta mbrojtur dhe kursyer energjitë e Kamberajt, duke i krijuar kushtet ideale për fazën vendimtare të garës.
Strategjia rezultoi perfekte. Në 10 kilometrat e fundit, Kamberaj u shkëput nga pelotoni së bashku me katër sportistë të tjerë dhe zhvilloi një sprint të jashtëzakonshëm drejt finishit. Çiklisti shqiptar arriti të lërë pas rivalët e tij dhe të kalojë i pari vijën e mbërritjes, duke siguruar medaljen e artë dhe titullin kampion të Ballkanit.
Fitorja e Shqipërisë përfaqëson një sukses të madh për çiklizmin shqiptar dhe një shpërblim të merituar për punën e gjithë ekipit kombëtar, i cili tregoi disiplinë, forcë dhe inteligjencë taktike përballë konkurrentëve më të fortë të rajonit. Shqipëria e mbylli kështu Kampionatin Ballkanik me një triumf që do të mbetet gjatë në kujtesën e sportdashësve.
Pjesë e kombëtares shqiptare në këtë event të rëndësishëm kanë qenë edhe tre çiklistët e Vllaznisë Alesio Kola, Bekim Tafili dhe Luis Margjoni të cilët janë munduar të japin më të mirën e tyre ku vlen për t’u përmenduar paraqitja e 19 vjeçarit Alesio Kola i cili u rendit në vendin ee 28-të në këtë Kampionat Ballkanik.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”



