Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia ka nisur lëvizjet e para në merkaton e verës dhe një nga emrat që po qarkullon pranë klubit shkodran është ai i Randy Dwumfour. Mbrojtësi ganez, i cili ka qenë pjesë e Skënderbeut në sezonet e fundit, po shihet si një alternativë konkrete për përforcimin e repartit difensiv të kuqebluve. 25-vjeçari ka spikatur në kampionatin shqiptar për forcën fizike, ndërhyrjet e sigurta dhe aftësinë në duelet ajrore, duke u kthyer në një nga pikat më konstante të prapavijës korçare. Pikërisht këto cilësi kanë tërhequr vëmendjen e drejtuesve të Vllaznisë, të cilët synojnë të rrisin konkurrencën në mbrojtje për sezonin e ri dhe përballjet europiane. Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se ka pasur interesim konkret dhe kontakte paraprake, teksa në ditët në vijim nuk përjashtohet mundësia që të ketë një marrëveshje të finalizuar mes palëve. Situata mbetet në zhvillim e sipër, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë më shumë qartësi mbi të ardhmen e lojtarit dhe mundësinë e një transferimi drejt Shkodrës. Vllaznia pritet të jetë aktive në merkato këtë verë, me synimin për të ndërtuar një skuadër konkurruese si në kampionat, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Në këtë kuadër, sipas drejtuesve afrimi i një mbrojtësi me profilin e Dwumfour do të ishte një afrim me peshë për organikën kuqeblu.


