Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri, teksa në fillim të kësaj jave kuqeblutë janë rikthyer në fushën stërvitore pas pushimeve të verës. Megjithatë, grupi që ka zhvilluar seancat e para ka qenë larg formacionit që pritet të përfaqësojë skuadrën në muajt e ardhshëm, pasi pjesa më e madhe e futbollistëve të ekipit të parë mungojnë ende.
Për të garantuar vazhdimësinë e procesit stërvitor, trajneri Edi Martini ka pasur nën urdhrat e tij një numër të konsiderueshëm futbollistësh nga ekipi U-19, por edhe nga Vllaznia B. Të rinjtë kanë marrë mundësinë të tregojnë vlerat e tyre në këto ditë të para, duke qenë pjesë e seancave me ekipin e parë në një periudhë ku grupi ende nuk është kompletuar.
Sipas planit të klubit, pjesa dërrmuese e titullarëve pritet t’i bashkohet skuadrës në fundin e kësaj jave. Bekim Balaj dhe pjesa tjetër e lojtarëve që kanë përfituar disa ditë më shumë pushim do të rikthehen gradualisht, duke bërë që stafi teknik të ketë më shumë alternativa në dispozicion për vijimin e përgatitjeve.
Objektivi i shkodranëve është që gjatë javës së ardhshme trajneri Martini të ketë në dispozicion grupin pothuajse të plotë. Kjo do t’i japë mundësi skuadrës të nisë me ritme më intensive punën taktike dhe fizike, në funksion të angazhimeve që e presin në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, merkatoja mbetet një tjetër çështje e rëndësishme në kampin kuqeblu. Drejtuesit vijojnë punën për të afruar elementët e nevojshëm që do të plotësojnë organikën, teksa Vllaznia synon të paraqitet sa më konkurruese në ndeshjet e Conference League. Vetëm pas afrimit të përforcimeve dhe kompletimit të grupit, kuqeblutë do të mund të hyjnë në fazën më serioze të përgatitjeve për sfidat europiane që po afrohen.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


