Wednesday, June 10, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREGeralb Smajli pranë largimit nga Ballkani, dy ekipe të Superiores në garë...

Geralb Smajli pranë largimit nga Ballkani, dy ekipe të Superiores në garë për shkodranin

Shkruar nga Endri ÇINARI

E ardhmja e Geralb Smajlit duket gjithnjë e më larg Ballkanit. Sipas informacioneve që siguron gazeta “Shkodra Sport”, mbrojtësi shkodran është drejt shkëputjes përfundimtare me klubin kampion të Kosovës, duke mbyllur kështu një aventurë dyvjeçare me fanellën e skuadrës nga Suhareka.

Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se kjo javë pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e 24-vjeçarit. Palët janë në fazat finale të diskutimeve për ndarjen dhe, nëse nuk do të ketë ndonjë zhvillim të papritur, rrugët mes Smajlit dhe Ballkanit pritet të ndahen zyrtarisht në ditët në vijim.

Interesi për shërbimet e mbrojtësit nuk mungon. Sipas asaj që mëson “Shkodra Sport”, dy skuadra të rëndësishme të kreut të Superiores kanë hyrë fuqishëm në garë për të siguruar firmën e tij. Bisedimet mes palëve kanë avancuar ndjeshëm dhe negociatat thuhet se janë pranë fazës së konkretizimit.

Megjithatë, burimet kanë preferuar të mos zbulojnë momentalisht identitetin e klubeve të interesuara. Arsyeja lidhet me faktin se tratativat ende nuk janë mbyllur plotësisht dhe ekziston dëshira që gjithçka të finalizohet larg vëmendjes publike. Vetëm një ofertë e minutës së fundit nga jashtë vendit mund të ndryshojë skenarin aktual.

Në këto kushte, rikthimi i Geralb Smajlit në futbollin shqiptar duket opsioni më i mundshëm. Mbrojtësi shkodran vlerësohet si një nga lojtarët më cilësorë në repartin difensiv dhe, nëse nuk do të ketë surpriza, sezoni 2026/27 pritet ta gjejë atë sërish në Superiore, këtë herë si pjesë e një prej skuadrave që synojnë titullin kampion dhe pjesëmarrjen në kupat e Europës.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments