Shkruar nga Endri ÇINARI
Ashtu siç ishte paralajmëruar prej ditësh, Melos Bajrami nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë. Mbrojtësi ka zyrtarizuar ndarjen me klubin shkodran, duke i dhënë fund aventurës së tij me kuqeblutë pas dy sezonesh të suksesshme në “Loro Boriçi”.
Ka qenë vetë futbollisti ai që ka konfirmuar largimin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka falënderuar klubin, tifozët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë qëndrimit të tij në Shkodër. Një mesazh që vulos përfundimisht fundin e bashkëpunimit mes palëve dhe hap një kapitull të ri në karrierën e mbrojtësit.
Bajrami largohet pasi zhvilloi dy sezone pozitive me fanellën e Vllaznisë, duke qenë një nga elementët më të qëndrueshëm të repartit difensiv. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të ndryshme jashtë vendit, teksa interesimi për shërbimet e tij ka qenë i pranishëm prej kohësh.
Aktualisht, destinacioni më i mundshëm për mbrojtësin e majtë mbetet Kroacia. Skuadra e Goricës ka shfaqur interes konkret për futbollistin dhe vijon të jetë pista më e nxehtë për të ardhmen e tij. Kontaket mes palëve kanë ekzistuar prej kohësh dhe klubi kroat e sheh Bajramin si një përforcim me vlera për sezonin e ri.
Megjithatë, transferimi ende nuk mund të konsiderohet i mbyllur. Ish-futbollisti i Skënderbeut po analizon me kujdes të gjitha mundësitë që ka në dispozicion, ndërsa në tavolinën e tij kanë mbërritur edhe oferta të tjera që mund të rezultojnë të favorshme si nga ana sportive, ashtu edhe nga ajo financiare.
Për momentin, ajo që është e sigurt është se e ardhmja e Melos Bajramit do të jetë larg Vllaznisë. Mbrojtësi është gati për hapin e radhës në karrierën e tij dhe ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të përcaktuar skuadrën ku do të vazhdojë rrugëtimin, me Goricën që mbetet favoritja kryesore për të siguruar firmën e tij.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


