Vllaznia është në pritje për të mësuar emrin e kundërshtarit me të cilin do të ndeshet në turin e parë të “Conference League” dhe një ndër gjashtë ekipet e mundshme me të cilin do të përballet është edhe Malisheva.
Interesant është fakti se tek kjo skuadër shkodranët mund të rigjejnë sërish Thomas Brdariç, por këtë herë si kundërshtar. Kjo ngaqë nga ajo çfarë mëson Gazeta “Shkodra Sport”, ditën e sotme pritet zyrtarizimi i teknikut gjermano- kroat në pankën e Malishevës.
Bisedimet mes palëve kanë pak ditë që kanë nisur dhe tashmë duket se ka mbetur vetëm hedhja e firmës në kontratë. Siç dihet, Brdariç e mbylli sezonin si trajner i Drenicës, skuadër që arriti ta mbante në Superligën e Kosovës, por tashmë është Malisheva që kërkon shërbimin e tij.
Si rrjedhojë më 9 dhe 16 korrik, nuk përjashtohet mundësia që Thomas Brdariç të jetë si kundërshtar me Vllazninë, skuadrën që e ka drejtuar dy herë gjatë karrierës së tij dhe me të cilën fitoi edhe Kupën e Shqipërisë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


