Shkruar nga Endri ÇINARI
Çështja e Lirim Kastratit dhe Sherif Kallakut ishin padyshim nga temat që ndezi më shumë diskutime në ambientin kuqeblu gjatë ditëve të fundit. Dy futbollistët u konsideruan fillimisht si pjesë e grupit që do të largohej nga Vllaznia, duke krijuar jo pak habi mes tifozëve, sidomos duke pasur parasysh rolin dhe cilësitë që ata kanë treguar me fanellën shkodrane. Megjithatë, zhvillimet e fundit duket se kanë ndryshuar ndjeshëm panoramën.
Në veçanti, situata e Lirim Kastratit ka pësuar një kthesë të rëndësishme. Sulmuesi duket se ka bërë një hap pas në raport me qëndrimin e tij fillestar, ndërsa mes palëve është gjetur një lloj gjuhe e përbashkët. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se raportet janë normalizuar dhe, në këto kushte, mundësitë që kosovari të vazhdojë të jetë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm janë shumë të mëdha. Madje, aktualisht skenari më i mundshëm mbetet ai i qëndrimit të tij në Shkodër.
Disi më e ndërlikuar paraqitet situata e Sherif Kallakut. Fantazisti nuk është bërë ende pjesë e skuadrës në fazën përgatitore, çka ka shtuar pikëpyetjet rreth të ardhmes së tij. Megjithatë, sipas informacioneve që qarkullojnë pranë klubit, mungesa e tij lidhet kryesisht me procedura dokumentacioni, konkretisht me skadimin e pasaportës, dhe jo me ndonjë vendim përfundimtar për largim.
Ajo që ka tërhequr vëmendje në rastin e futbollistit nga Fushë-Kruja është heshtja e tij. Kallaku ka qëndruar larg mediave dhe nuk ka dhënë asnjë reagim publik, ndërsa edhe në rrjetet sociale nuk ka lënë të kuptohet asgjë për situatën që po kalon. Kjo mungesë komunikimi ka bërë që misteri të vazhdojë, duke ushqyer zërat dhe spekulimet që kanë qarkulluar ditët e fundit.
Megjithatë, pavarësisht paqartësive të momentit, në ambientin kuqeblu mbizotëron bindja se edhe Kallaku do të jetë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri. Drejtuesit dhe stafi teknik vazhdojnë ta konsiderojnë atë një element me vlera për skuadrën, ndërsa deri në fund të merkatos verore nuk pritet të ketë lëvizje në drejtim të largimit të tij. Nëse për Kastratin situata duket tashmë drejt zgjidhjes, për Kallakun mbetet vetëm çështje kohe derisa të qartësohet plotësisht dhe ai t’i bashkohet grupit në përgatitjet për sezonin e ri.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


