Sunday, June 28, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot 50 vjetori 'i munguar' i kolegut tonë Mejdan Zhivani

ALMANAK/ Sot 50 vjetori ‘i munguar’ i kolegut tonë Mejdan Zhivani

Shkruar nga Gjergj KOLA

Ditën e sotme sigurisht që do të ishim mbledhur të gjithë së bashku, ashtu siç kemi bërë në ditëlindjet e secilit prej nesh, për të uruar kolegun dhe mikun tonë Mejdan Zhivani, sepse 28 qershori i këtij viti përkon me 50-vjetorin e tij të lindjes.

Për fat të keq ky është viti i 12-të që nuk mundemi ta festojmë së bashku, por kjo nuk na pengon asnjëherë për ta kujtuar mikun dhe kolegun tonë. Ashtu si edhe sot.

Ai vërtet lindi në Tropojë, u formua si njeri dhe si gazetar në Shkodër dhe mbylli sytë në Tiranë, por me Shkodrën dhe shkodranët ka mbetur shumë i lidhur sepse i bëri për vete të gjithë me punën dhe profesionalizmin e tij.

Ka punuar si bashkëpunëtor i RTSH-së, i Radio Shkodrës, ka qenë pjesë e televizioneve lokale të këtij qyteti, i gazetës “Metropol Sport” për shumë vite me radhë, por edhe i shumë mediave të tjera ku ai ka lënë firmën e tij.

Sigurisht që ka qenë edhe pjesë e gazetës online “SHKODRA SPORT” që në momentin e krijimit, duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm në ecjen përpara të saj dhe ka kontribuar për të deri pak ditë para ndarjes nga jeta.

Ashtu siç jemi të lumtur që pjesë të redaksisë së kësaj gazete prej disa vitesh tashmë kemi Maringlenin, nipin e tij, i cili ka të gjitha tiparet e tij dhe kjo na bën edhe më të lumtur sepse na duket se e kemi sërish Mejdanin mes nesh.

Humbja e tij e parakohshme nga një sëmundje e rëndë më 10 dhjetor 2014, kur ai ishte vetëm 38 vjeç, natyrisht që ka lënë pas një brengë të madhe për të gjithë ata që e kanë njohur, për të gjithë ata që kanë jetuar e punuar me të.

Mejdani ka qenë simboli i njeriut korrekt, i një profesionisti të vërtetë, njeriu që vlerësonte shoqërinë po aq sa edhe familjen e tij. Sot po e kujtojmë në 50-vjetorin e tij të lindjes dhe natyrisht që do ta kujtojmë gjithmonë sepse ai ishte njeri prej nesh.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments