Shkruar nga Gjergj KOLA
Sporti i mundjes në Shkodër dhe Shqipëri ka nxjerrë gjithmonë sportistë kampionë, të cilët kanë shkruar historinë e këtij sporti. Një nga personazhet më të spikatur për rreth 20 vite me radhë ka qenë Nikoll Grimaj.
Në biografinë e tij sportive rezulton se kemi të bëjmë me një mundës, i cili në CV-në e tij ka të regjistruar 8 tituj kampion kombëtar si individ me Vllazninë dhe 17 Nëntorin. Ndërkohë, sukseset e tij vijuan edhe në karrierën si trajner, ku fitoi edhe 5 tituj të tjerë në drejtimin e ekipit të Dinamos.
Për “Mjeshtrin e Madh” Nikoll Grimaj, titull që iu akordua në mars të vitit 2022, dita e sotme është e veçantë, sepse përkon me ditëlindjen e tij. Ai feston 76-vjetorin e lindjes dhe, me këtë rast, në emër të redaksisë së Gazetës “Shkodra Sport” dhe të lexuesve të saj, i urojmë këtij kampioni edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Ka lindur në Grudë më 4 korrik 1950 dhe e ka filluar sportin e mundjes klasike duke iu bashkuar ekipit të të rinjve të Vllaznisë me trajner Sulejman Ramën, pikërisht në vitin 1967.
Pas dy vitesh, më 1969, Nikoll Grimaj kaloi te ekipi i të rriturve të Vllaznisë, me trajner Qazim Elbasanin. Ai u bë pjesë e formacionit të kësaj skuadre dhe konkurroi në peshën e shtatë dhe të tetë, duke fituar shumë ndeshje në aktivitetet ku mori pjesë.
Në vitin 1971, në Kampionatin Kombëtar të zhvilluar në Tiranë, në datat 7–11 dhjetor, konkurroi në peshën e nëntë (-100 kg) dhe zuri vendin e dytë, duke u shpallur nënkampion i vendit.
Në vitin 1973 mori pjesë në Kupën e Republikës, të zhvilluar në Tiranë, ku konkurroi në peshën e tetë (-90 kg) dhe u rendit në vendin e dytë.
Po atë vit, në Kampionatin Kombëtar Individual të zhvilluar në muajin nëntor në Tiranë, Nikoll Grimaj u shpall për herë të parë kampion kombëtar, duke konkurruar në peshën e shtatë (-82 kg).
Në vitin 1974, në Kupën e Republikës të zhvilluar në Tiranë, konkurroi në peshën -90 kg dhe zuri vendin e tretë. Në Kampionatin Kombëtar Individual, të zhvilluar në datat 9–12 korrik në Tiranë, zuri vendin e dytë dhe u shpall nënkampion i vendit.
Ndërkohë, në finalet e Spartakiadës së III-të Kombëtare, të zhvilluara në datat 2–4 tetor në Tiranë, konkurroi në peshën -82 kg dhe fitoi medaljen e argjendtë.
Në vitin 1975, në finalet e Kupës së Republikës, të zhvilluara në Shkodër në datat 14–16 maj, konkurroi në peshën -90 kg dhe zuri vendin e parë.
Po atë vit, në Kampionatin Kombëtar Individual të zhvilluar në Tiranë, konkurroi në peshën mbi 100 kg dhe u shpall kampion kombëtar. Në Kampionatin Kombëtar Ekipor, të zhvilluar në Shkodër, zuri vendin e dytë në peshën -90 kg.
Në vitin 1976 fitoi sërish Kupën e Republikës dhe më pas u shpall kampion kombëtar në peshën mbi 100 kg.
Në vitin 1977 fitoi Kupën e Republikës në Kukës dhe më pas u shpall përsëri kampion kombëtar në Shkodër.
Në vitin 1978 fitoi Kupën e Republikës në Korçë në peshën +100 kg, ndërsa në Kampionatin Kombëtar Individual të zhvilluar në Shkodër u skualifikua.
Në vitin 1979 u rendit i treti në Kampionatin Kombëtar Individual dhe fitoi medaljen e bronztë në Spartakiadën e IV Kombëtare.
Në vitin 1980 u rendit i treti në Kupën e Republikës dhe më pas kaloi te ekipi i 17 Nëntorit.
Karriera me 17 Nëntorin
Në vitin 1980 u shpall kampion kombëtar në peshën +100 kg.
Në vitin 1981 u rendit i dyti në Kupën e Republikës dhe nuk mori pjesë në Kampionatin Kombëtar Individual.
Në vitin 1982 fitoi Kupën e Republikës dhe më pas u shpall kampion kombëtar.
Në vitin 1983 u rendit i pesti në Kupën e Republikës për shkak të një dëmtimi, i cili e pengoi të merrte pjesë edhe në Kampionatin Kombëtar Individual.
Në vitin 1984 fitoi Kupën e Republikës, u shpall kampion kombëtar dhe fitoi medaljen e artë në Spartakiadën e V-të Kombëtare, të zhvilluar në Shkodër.
Në vitin 1985 fitoi Kupën e Republikës dhe u shpall sërish kampion kombëtar.
Karriera si trajner
Në vitin 1987 filloi karrierën si trajner te Dinamo, me të cilën u shpall pesë herë kampion i Shqipërisë. Nga duart e tij kanë dalë shumë sportistë kampionë, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e mundjes shqiptare.
Titujt individualë të Nikoll Grimajt
Me Vllazninë:
- 4 herë kampion kombëtar (1973, 1975, 1976, 1978);
- 4 herë fitues i Kupës së Republikës (1975, 1976, 1977, 1978);
- Medalje argjendi në Spartakiadën Kombëtare (1974).
Me 17 Nëntorin:
- 4 herë kampion kombëtar (1980, 1982, 1984, 1985);
- 3 herë fitues i Kupës së Republikës (1982, 1984, 1985);
- Medalje bronzi në Spartakiadën Kombëtare (1979);
- Medalje ari në Spartakiadën Kombëtare (1984).
Në total:
- 8 herë kampion kombëtar;
- 7 herë fitues i Kupës së Republikës;
- 1 medalje ari, 1 medalje argjendi dhe 1 medalje bronzi në Spartakiadat Kombëtare.
Vlerësimet ndër vite:
- “Mjeshtër Sporti”;
- “Mjeshtër i Merituar i Sportit”;
- “Nderi i Mundjes Shqiptare”;
- “Mundësi i Shekullit”, akorduar nga Bashkia Shkodër me rastin e 100-vjetorit të Sportklub Vllaznia;
- Titulli i lartë “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës.


