Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Të flasësh për futbollin shkodran ndër vite do të thotë të ndalesh te shumë emra që kanë lënë gjurmë në historinë e këtij sporti. Mes tyre zë një vend të veçantë Ferid Borshi, një nga figurat më të respektuara të futbollit shkodran dhe një prej emrave që kontribuoi për vite me radhë me fanellën kuqeblu të Vllaznisë.
Jo shpesh ndodh që pasioni dhe talenti për futbollin të trashëgohen nga një brez te tjetri brenda së njëjtës familje. Pikërisht kjo ka ndodhur me familjen Borshi, ku rrugën e të atit e ndoqi edhe Ergi Borshi, fillimisht si futbollist dhe më pas si trajner. Për kontributin e dhënë ndër dekada, familja Borshi mbetet një nga familjet simbol të futbollit shkodran.
Vlerësimi për Ferid Borshin erdhi edhe në nivel kombëtar, kur ai u dekorua me titullin “Mjeshtër i Madh” nga ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vyer në sport. Karrierën si futbollist, Ferid Borshi e nisi që në moshë të re, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të spikatur të Vllaznisë në vitet ’70 dhe ’80. Ai ishte pjesë e skuadrës në shumë suksese, ndërsa u dallua për profesionalizmin dhe përkushtimin në fushën e lojës.
Pas mbylljes së karrierës si futbollist, ai vijoi të kontribuojë në futboll si trajner. Për shumë vite punoi me ekipet e moshave të Akademisë Vllaznia, ku ndihmoi në formimin e një brezi futbollistësh që më pas u bënë pjesë e Superiores dhe kampionateve jashtë vendit. Gjithashtu, ai ishte pjesë e stafit teknik të ekipit të parë të Vllaznisë, duke fituar titujt kampion të viteve 1998 dhe 2001. Edhe pse karriera e tij si futbollist nuk mori fund ashtu siç e meritonte, për shkak të rrethanave politike të kohës, Ferid Borshi mbeti një figurë shumë e respektuar nga tifozët shkodranë.
Edhe pas largimit nga futbolli i luajtur, ai nuk u shkëput kurrë nga ky sport, duke vijuar të punojë me brezat e rinj. Sot, trashëgimia e tij po vazhdon nga djali, Ergi Borshi. Ai e nisi rrugëtimin futbollistik që në moshë të vogël me Vllazninë, duke qenë pjesë edhe e ekipeve kombëtare U-17 dhe U-19. Më pas luajti me ekipin e parë të Vllaznisë, si edhe me Veleçikun, Tërbunin, Teutën dhe Kastriotin. Në kulmin e karrierës, Ergi Borshi konsiderohej një nga mbrojtësit më të besueshëm, por dëmtimet e shumta e detyruan të mbyllte futbollin e luajtur në një moshë të re.
Megjithatë, ai vendosi të mbetej pranë sportit duke iu përkushtuar profesionit të trajnerit. Sot, Ergi Borshi është pjesë e stafit teknik të ekipit të parë të Vllaznisë, ku vazhdon të ndërtojë karrierën e tij si trajner. Me përkushtimin dhe përvojën e fituar ndër vite, ai synon të ndjekë gjurmët e të atit dhe të shkruajë historinë e tij në futbollin shqiptar. Familja Borshi mbetet një shembull i rrallë i trashëgimisë sportive në Shkodër, ku dashuria për futbollin është përcjellë brez pas brezi, duke dhënë një kontribut të çmuar për Vllazninë dhe futbollin shqiptar.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


