Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Nëse Egnatia dhe Dinamo City meritojnë duartrokitje për vazhdimin e rrugëtimit europian, ndërsa Elbasani largohet me kokën lart pas një eliminimi të dhimbshëm me penallti, historia e Vllaznisë është krejt tjetër. Klubi shkodran nuk u eliminua thjesht nga Liga e Konferencës, por pësoi një nga disfatat më të rënda në historinë e tij europiane, duke u mposhtur 5-0 nga Malisheva në ndeshjen e kthimit dhe duke humbur me rezultatin e përgjithshëm 6-2.
Më e dhimbshme se vetë eliminimi është mënyra se si erdhi ai. Pas fitores 2-1 në “Loro Boriçi”, Vllaznia kishte gjithçka në dorë për të administruar kualifikimin. Në vend të kësaj, skuadra u shpërbë plotësisht në Kosovë, duke mos dhënë asnjë reagim dhe duke lënë përshtypjen e një ekipi pa identitet, pa karakter dhe pa forcë për të përballuar presionin e një ndeshjeje vendimtare.
Ajo që shqetëson më shumë nuk është vetëm rezultati katastrofik, por fakti se ky skenar duket se përsëritet vazhdimisht. Sa herë Vllaznia arrin të ndërtojë diçka pozitive gjatë sezonit, vjen momenti vendimtar dhe gjithçka shembet. Një klub me histori, traditë dhe një nga tifozeritë më të mëdha në Shqipëri vazhdon të jetë armiku më i madh i vetvetes.
Në fund, keqardhja mbetet vetëm për tifozët kuqeblu, të cilët edhe një herë panë ëndrrën europiane të kthehej në një makth. Mbetet vetëm një pyetje që prej vitesh nuk gjen përgjigje: pse Vllaznia vazhdon të shkatërrojë me duart e saj gjithçka që ndërton me aq mund gjatë sezonit? Derisa të gjendet përgjigjja, zhgënjime të tilla rrezikojnë të kthehen në normalitet.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


