Vlllaznia e futbollit të femrave nuk ka ndër mend të ndalet në merkato. Presidenti Lazer Matija ka bërë të mundur së fundi edhe një tjetër përforcim të rëndësishëm. Bëhet fjalë për portieren e njohur Antigoni Hyska.
Ajo në sezonin e kaluar ka qenë pjesë e ekipit të Gramshit, me të cilin tashmë ka mbyllur bashkëpunimin dhe i është bashkuar vajzave kuqeblu në përgatitoren që ato janë duke zhvilluar në qytetin e Pukës.
Hyska vjen nga Gramshi, ndërsa gjatë karrierës së saj ka luajtur për shumë vite me Apoloninë. Ajo është një nga portieret më të njohura të futbollit shqiptar të femrave dhe prej disa vitesh është pjesë e Kombëtares shqiptare, ku vazhdon të jetë e grumbulluar rregullisht.
Transferimi i saj përbën një përforcim të rëndësishëm për Vllazninë, e cila synon të jetë konkurruese si në kampionatin shqiptar, ashtu edhe në ndeshjet europiane. Me eksperiencën dhe cilësitë e saj mes shtyllave, Hyska pritet të luajë një rol të rëndësishëm në objektivat e skuadrës shkodrane gjatë gjithë sezonit.
Me marrjen edhe të kësaj portieres, tashmë trajneri Leka ka në dispozicion edhe një lojtare cilësore më shumë dhe tashmë i gjithë fokusi do të jetë i përqendruar tek ndeshjet e turit të dytë të “UEFA Champions League”, ku Vllaznia në ndeshjet që do të luhen në fillimin e muajit gusht në Qipro, do të synojë kualifikimin në turin e tretë të këtij kompeticioni të rëndësishëm.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


