Saturday, August 1, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- boksierit kampion të Vllaznisë, Elsat Gramshi

ALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- boksierit kampion të Vllaznisë, Elsat Gramshi

Shkruar nga Gjergj KOLA

Sporti i boksit në Shkodër ka qenë pararojë gjatë këtyre viteve të fundit dhe padyshim që sukseset e ekipit të Vllaznisë kanë qenë të shumta si në arenën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Një kontribut të madh në gjithë këto suksese kanë dhënë shumë boksierë, por sot do të ndalemi tek njëri prej tyre.

E kemi fjalën për Elsat Gramshi, boksierin shtatëlartë që i bëri për vete të gjithë pasionantët e këti sporti. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të përvjetorit të 47-të të lindjes së tij dhe me këtë rast në emër të redaksisë së Gazeta “SHKODRA SPORT” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Elsi, siç e thërrisnin shokët e ekipit, por edhe sportdashësit, ka lindur në Shkodër më 1 gusht 1979 dhe do të lidhje shpejt me sportin e boksit, ndikuar padyshim nga emrat e mëdhenj të Vllaznisë së atyre viteve që po korrnin suksese të shumta në të gjitha garat ku ata merrnin pjesë.

Gramshi shumë shpejt do të formohej si sportist dhe do të vinin sukseset teksa shpallet kampion me të rinjtë dhe madje në vitin 1999 kur ishte vetëm 18 vjeç, do të garonte në kampionat me të rriturit dhe do të shpallej kampion kombëtar i peshës 75 kg. Një start i mbarë që do t’i jepte edhe më shumë shtysë për të ardhmen.

Edhe një vit më pas, pikërisht në vitin 2000 do të ishte sërish kampion por titulli i këtij viti do të kishte më shumë emocione dhe i ka mbetur në mendje Elsit edhe sot e kësaj dite. Kjo sepse finalet e kampionatit u zhvilluan në Shkodër dhe në finalen e peshës 71 kg do të kishte përballë një emër të njohur të boksit shqiptar si vlonjatin Arsen Doko ndaj të cilit triumfoi dhe fitoi kësisoj titullin e dytë kampion rradhazi.

Sukseset e Elsat Gramshit do të vijonin edhe për disa vite të tjera ku ai do të triumfonte në garat e Kupës së Shqipërisë apo dhe në turne të ndryshëm që zhvilloheshin brenda dhe jashtë vendit. Për disa vite njëkohësisht ka qenë edhe anëtar i ekipit tonë kombëtar.

Karriera e këtij boksieri nuk vazhdoi shumë gjatë sepse më pas u largua drejt Kanadasë, vend ku jeton edhe sot e kësaj dite me familjen e tij, megjithatë duke lënë pas kujtime shumë të bukura nga karriera e boksit dhe prandaj kujtohet edhe sot e kësaj dite nga dashamirësit dhe ndjekësit e këtij sporti.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments