Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Qendërmbrojtësi shkodran Xhulian Kapllanaj ka nisur një aventurë të re në karrierën e tij, duke u prezantuar zyrtarisht si futbollist i klubit Bashkimi, që militon në Superligën e futbollit të Maqedonisë së Veriut. Mbrojtësi, i cili sezonin e kaluar u aktivizua në Kategorinë e Dytë të futbollit shqiptar, pikërisht me Shirokën, tashmë do të provojë një eksperiencë të re jashtë vendit.
Klubi shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka konfirmuar afrimin e tij, duke e bërë Kapllanajn një nga përforcimet për sezonin e ri. Kapllanaj njihet për forcën fizike, lojën në duelet ajrore dhe sigurinë në repartin difensiv, cilësi që Bashkimi synon t’i shfrytëzojë në objektivat e sezonit të ardhshëm.
Për 24-vjeçarin shkodran, ky transferim përfaqëson një hap të rëndësishëm në karrierë dhe një mundësi për t’u afirmuar edhe në kampionatin e Maqedonisë së Veriut.
Klubi i Bashkimit ka nisur tashmë edicionin 2026-2027, ku Kapllanaj pritet të ketë një rol të rëndësishëm në prapavijë. Njoftimi për prezantimin e tij është publikuar nga klubi edhe në rrjetet sociale.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


