Vllaznia dhe Vora kanë mbyllur përgatitjet për sezonin e ri me një miqësore mes tyre të luajtur sot në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Rezultati përfundimtar ka qenë në shifrat e barabarta 2-2
Në ndeshjen e sotme, trajnerët Martinin dhe Bellaj kanë testuar lojtarët si pjesë e konsolidimit të formacioneve për ndeshjet e radhës që do t’i shohin që nga java e ardhshme të marrin pjesë në Superiore.
Shkodranët e kanë nisur ndeshjen me këtë formacion: Jukaj, Çelikoviç, Dwumfour, Musta, So. Uldedaj, Avduli, Dros, Qato, Kobiljar, Murataj dhe Balaj
Shkodranët shënuan dy herë në pjesën e parë me anë të penalltisë së Balajt dhe pastaj Muratajn, ndërsa Karrica shkurtoi diferencën para pushimit të sfidës, teksa vorakët shpërdoruan edhe mundësi të tjera shënimi, sidomos në pjesën e dytë, të ndalur nga Jukaj.
Në pjesën e dytë për Vllazninë u aktivizuan edhe Dulysse, Latifi, Pusi, Bardhi, Gurishta, Mehmeti, Tafili, Bizi e Perez. Loja e kuqebluve në këtë pjesë në fakt nuk u ngjit në lartësinë e duhur dhe si rrjedhojë miqtë arritën të barazojnë me anë të Trajkov dhe shifrat 2-2 rezistuan deri në vërshëllimën përfundimtare të ndeshjes.
VLLAZNIA-VORA 2-2
31’ (p) Balaj, 40’ Murataj/ 44’ Karrica, 61’ Trajkov


