Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia ka realizuar tashmë edhe afrimin që kërkonte prej kohësh në repartin e portës. Kuqeblutë kanë siguruar shërbimet e portierit moldav Kristian Avram, një lëvizje që plotëson edhe një prej pikave të fundit që kishte mbetur për t’u sistemuar në organikën e Edi Martinit.
32-vjeçari i bashkohet skuadrës shkodrane me eksperiencën e tij, duke shtuar konkurrencën në një repart ku deri tani Jukaj shihej si alternativa kryesore për postin e titullarit. Me ardhjen e Avramit, gara për fanellën e parë pritet të jetë më e fortë dhe trajneri Martini do të ketë një tjetër mundësi zgjedhjeje.
Afrimi i moldavit nuk ka të bëjë vetëm me shtimin e konkurrencës. Vllaznia tashmë e ka të dyfishuar edhe këtë pozicion, një element i rëndësishëm për një sezon të gjatë, ku dëmtimet, pezullimet apo ngarkesa e ndeshjeve mund të diktojnë ndryshime të detyruara në formacion.
Në fakt, kjo është një situatë që tashmë karakterizon thuajse çdo repart të skuadrës kuqeblu. Pas lëvizjeve të bëra gjatë merkatos, Martini ka në dispozicion alternativa për pjesën më të madhe të roleve, duke krijuar konkurrencë të brendshme dhe duke i dhënë stafit teknik më shumë hapësirë për të zgjedhur formacionin.
Me afrimin e Avramit, Vllaznia mund ta konsiderojë të plotësuar edhe organikën në portë dhe, në parim, të mbyllë merkaton hyrëse për sezonin e ri. Klubi shkodran ka ndërhyrë në repartet ku kishte nevoja dhe tashmë fokusi kalon te konsolidimi i grupit dhe starti i kampionatit.
Megjithatë, dera nuk është plotësisht e mbyllur. Në ditët e fundit të merkatos mund të ketë ende ndonjë lëvizje, por vetëm nëse bëhet fjalë për një afrim me cilësi të veçantë dhe që realisht mund ta rrisë nivelin e skuadrës. Në të kundërt, Vllaznia pritet t’i besojë grupit aktual për sezonin 2026-27, me konkurrencën për vendet e titullarit që tashmë është e hapur në pothuajse çdo pozicion.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


