FAQJA E PARE KRYESOREMuçi i befason të gjithë me rikthimin, trajneri i Kombëtares buzëqesh para...

Muçi i befason të gjithë me rikthimin, trajneri i Kombëtares buzëqesh para Ligës së Kombeve

Ernest Muçi ka lënë pas dëmtimin dhe është rikthyer në stërvitje me skuadrën e Trabzonsporit. Sulmuesi shqiptar mori pjesë në seancën e fundit të ekipit turk përpara ndeshjes me Ferencvaroshin, e vlefshme për fazën “play off” të Ligës së Europës.

Rikthimi i Muçit në stërvitje vjen vetëm pak ditë pasi ai u detyrua të qëndronte jashtë për shkak të një dëmtimi në pjesën e sipërme të muskujve të përparmë të kofshës. Ekzaminimet kishin evidentuar tendosje të shoqëruar me gjakderdhje dhe edemë, ndërsa në ditët e para pas dëmtimit u raportua se ai mund të mungonte për rreth dy javë. Muçi humbi ndeshjen e Trabzonsporit ndaj Kasimpashës, por rikuperimi i tij ka ecur në një drejtim pozitiv dhe tashmë ai ka rifilluar punën me grupin. Megjithatë, prania në stërvitje nuk do të thotë automatikisht se futbollisti është gati për të luajtur. Trabzonspori zhvilloi seancën e fundit në ambientet e Mehmet Ali Jilmaz, nën drejtimin e trajnerit Fatih Teke.

Pjesa e parë e stërvitjes ishte e hapur për mediat, ndërsa më pas skuadra vijoi me përgatitjet taktike për përballjen me Ferencvaroshin. Në këtë seancë, përveç Muçit, nuk u stërvitën me grupin Batagov, Folkareli dhe Okaj Jokushlu, të cilët vijojnë të kenë probleme fizike. Për Muçin, ndërkohë, rikthimi në stërvitje është hapi i parë drejt rikthimit të plotë në dispozicion të trajnerit. Pavarësisht këtij zhvillimi pozitiv, stafi teknik i Trabzonsporit nuk dëshiron të marrë rrezik me futbollistin shqiptar. Muçi ishte në stol në ndeshjen e Ligës së Europës ndaj Ferencvaroshit, teksa objektivi i klubit është që Muçi të rikthehet në gjendje optimale dhe, nëse gjendja fizike e lejon, të jetë në dispozicion për ndeshjen e kthimit në Hungari, e cila do të luhet më 27 gusht. Ditët e ardhshme dhe mënyra se si do të reagojë trupi i tij ndaj ngarkesave do të jenë vendimtare për përcaktimin e momentit të rikthimit në ndeshje.

GRUMBULLIMI ME KUQEZINJTË- Rikthimi i Muçit është një zhvillim i mirë edhe për Kombëtaren shqiptare. Pas dëmtimit, një mungesë e parashikuar prej tre deri në katër javësh do ta bënte teorikisht të pamundur që ai të ishte në dispozicion të Shqipërisë për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Situata tashmë është ndryshe. Fakti që Muçi ka përfunduar trajtimin dhe është rikthyer në stërvitje me Trabzonsporin tregon se rikuperimi po ecën më shpejt nga skenari që mund të krijohej pas dëmtimit. Për Kombëtaren, kjo është një sinjal pozitiv, pasi Muçi mbetet një prej alternativave të rëndësishme në repartin ofensiv.

Nëse ai vijon pa probleme fazën e rikuperimit dhe arrin të rifitojë ritmin e ndeshjeve, mundësia që të jetë i gatshëm për grumbullimin e Shqipërisë rritet ndjeshëm. Për momentin, megjithatë, fokusi i Muçit është rikthimi i plotë te Trabzonspori. Aktivizimi i tij në ndeshjet e ardhshme do të varet nga gjendja fizike dhe vendimi i stafit teknik, ndërsa objektivi është që rikthimi të bëhet pa rrezikuar një dëmtim të ri. Nga një situatë ku një mungesë disa-javore rrezikonte ta linte jashtë edhe Kombëtares, Muçi tashmë ka kaluar në fazën e fundit të rikuperimit dhe ka nisur punën me grupin. Për Shqipërinë, ky është një zhvillim pozitiv dhe një arsye për të qenë më optimistë për disponueshmërinë e tij në ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare.

1 ndeshje
ka munguar Muçi për shkak dëmtimi. Mesfushori kuqezi nuk ishte i gatshëm në debutimin e Trabzonsporit në kampionat, për shkak të një edeme në kofshë. Pritej një mungesë e gjatë për të, por Muçi është rikthyer me skuadrën.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments