Ky nuk është thjesht një gjest antisportiv apo një akt dhune fizike ndaj një arbitri, siç mund të jetë e lehtë për t’u interpretuar nga institucionet disiplinore. Ai grusht i Alban Xhaferit është, në një kuptim më të gjerë, një grusht ndaj një sistemi që prej vitesh ka prodhuar mosbesim, nervozizëm, tension dhe pakënaqësi në futbollin shqiptar.
Le të jemi të qartë: askush nuk mund ta justifikojë dhunën ndaj një arbitri. Vetë Xhaferi ka kërkuar falje publike për goditjen ndaj Ergys Spahiut, duke pranuar se veprimi i tij ishte i papranueshëm. Por njëkohësisht, një shoqëri serioze nuk duhet të merret vetëm me pasojën e një shpërthimi. Duhet të kërkojë edhe shkaqet që e kanë prodhuar atë.
Sepse është krejt e thjeshtë të thuash: “Ndodhi një dhunë dhe duhet ndëshkuar autori”. Dhe po, duhet të ketë përgjegjësi. Por pyetja më e vështirë është: pse kemi arritur deri këtu?
Nuk besoj se askush në klubin shkodran ka ndonjë problem personal me arbitrin në fjalë. Ai është një individ brenda një sistemi shumë më të madh se vetja. Një hallkë e një mekanizmi që duhet të garantojë drejtësi sportive dhe besueshmëri, por që prej vitesh është përballur me akuza, debate, polemika dhe një krizë të vazhdueshme besimi.
Dhe kur besimi humbet, edhe një vendim i vetëm mund të bëhet shkëndijë.
Në Elbasan, Vllaznisë iu anuluan dy gola në minutat shtesë pas ndërhyrjes së VAR-it, duke shtuar tensionin në fundin e një ndeshjeje që përfundoi 1-1. Nuk është detyra ime këtu të vendos nëse vendimet ishin të sakta apo të gabuara. Për këtë ekzistojnë rregullat, ekspertët dhe institucionet përkatëse. Por është e pamohueshme se mënyra se si perceptohen këto vendime nga klubet, lojtarët dhe tifozët tregon një problem shumë më të thellë: mungesën e besimit tek sistemi.
Dhe këtu duhet të ndalemi.
Si në shëndetësi, ku për të kuruar një sëmundje nuk mjafton të trajtosh simptomën, por duhet të gjesh dhe eliminosh shkakun, edhe në futboll duhet të kuptojmë pse stadiumet tona janë mbushur me nervozizëm, mosbesim dhe sjellje antisportive.
Dhuna është simptomë. Shkaku duhet kërkuar më thellë.
Futbolli është një metaforë e jashtëzakonshme e jetës. Ai pasqyron shoqërinë ku jetojmë: pabarazitë, padrejtësitë, krizat, zhgënjimet, sakrificat dhe revoltën e njerëzve që ndonjëherë ndihen të pafuqishëm përballë një sistemi që nuk u jep përgjigje.
Prandaj unë shoh përtej atij grushti.
Shoh lodhjen e njerëzve që investojnë para, kohë dhe energji. Shoh sakrificën e futbollistëve dhe stafit. Shoh pritshmëritë e tifozëve. Shoh ëndrrat e një qyteti të tërë që kërkon vetëm një gjë: të fitojë në fushë, me rregulla të barabarta për të gjithë.
Dhe kur dikush mendon se djersa e tij po shpërdorohet, se sakrifica e tij po zhvlerësohet apo se ëndrra e tij po pengohet nga faktorë jashtë fushës, zemërimi grumbullohet. Derisa një ditë shpërthen.
Kjo nuk e bën dhunën të drejtë.
Por e bën të domosdoshme analizën e saj.
Sot, njerëzit e mirë, të ndershëm dhe të drejtë shpesh duket sikur janë ata që vuajnë më shumë. Po jetojmë në një kohë ku vlerat e shëndosha dhe parimet etike po humbasin terren përballë cinizmit, interesit dhe arrogancës.
Dhe futbolli nuk mund të jetë i imunizuar ndaj kësaj.
Përkundrazi, futbolli e tregon shumë qartë atë që ndodh në shoqëri. Në 90 minuta shfaqen pasionet, frustrimet, padrejtësitë e perceptuara, ambiciet dhe dëshira për të fituar. Por mbi të gjitha, aty testohet besimi tek rregullat.
Nëse njerëzit nuk besojnë më se rregullat zbatohen njësoj për të gjithë, atëherë problemi nuk zgjidhet vetëm me dënime.
Duhet të rikthehet besimi.
Duhet transparencë. Duhet përgjegjësi. Duhet arbitër i respektuar, por edhe arbitër i kontrolluar profesionalisht. Duhet drejtues që përgjigjen për vendimet e tyre. Dhe mbi të gjitha, duhet një sistem ku askush të mos ketë arsye të mendojë se gara është e paracaktuar apo se drejtësia sportive është relative.
Sepse dhuna ndaj arbitrit është e papranueshme.
Por po aq e rrezikshme për futbollin është edhe ajo klimë mosbesimi që e ushqen tensionin nga java në javë, nga sezoni në sezon.
Dhe këtu më vjen ndërmend Migjeni.
Në “Recitali i Malësorit”, poeti shkruan:
“O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh.”
Nuk po e marr këtë varg si justifikim për dhunën.
Përkundrazi.
Po e marr si metaforë të revoltës së njeriut përballë një force që e ndien më të madhe se veten. “Mali” i Migjenit mund të lexohet edhe sot si metaforë e një sistemi të heshtur, të fortë dhe indiferent përballë individit.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse vargjet e Migjenit vazhdojnë të tingëllojnë kaq aktuale.
Grushti i Xhaferit nuk duhet të bëhet simbol i dhunës në futboll.
Duhet të bëhet një alarm.
Një alarm për të gjithë ata që kanë përgjegjësi për futbollin shqiptar.
Sepse nëse duam të ndalojmë grushtet, nuk mjafton të ndëshkojmë dorën që godet.
Duhet të kuptojmë edhe çfarë e ka mbushur atë dorë me revoltë.
Dhe mbi të gjitha, duhet të ndërtojmë një futboll ku askush të mos ndihet më i detyruar të kërkojë drejtësi me grusht, sepse drejtësia duhet të garantohet nga rregullat, institucionet dhe një sistem që njerëzit besojnë.
*Ish- drejtor sportiv i KF Vllaznia


