Finalja e Kupës së Shqipërisë në futboll për femra, në sezonin 2012-13, do të jetë një derbi shkodran. Ada- Juban Danja është çifti finalist. Këto dy skuadra kanë sfiduar kundërshtarët e tyre në çerekfinale ndërsa sot kanë kaluar edhe ato të gjysmëfinaleve. Ndeshjet në fjalë janë luajtur sot në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz. Ada e Velipojës ka patur përballë ekipin e Kinostudios. Rezultati përfundimtar i kësaj ndeshje ka qenë 2-0 për vajzat kampione në fuqi. Të dy golat për këtë skuadër i ka shënuar futbollistja Megi Doçi. Nga ana tjetër, ekipi i dytë finalist Juban Danja, ka arritur një fitore shumë më të thellë. Ai ka mundur 9-0 ekipin e Shkëndisë së Durrësit. Golat për vajzat nga Jubani janë shënuar nga kapitenia Advije Veliu 4, Suada Jashari ka shënuar 3 gola ndërsa nga një gol kanë shënuar Klaudia Rrotani dhe Aurora Seranaj. Në fundjavën e ardhshme, do luhet finalja Ada- Juban Danja. Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk e ka caktuar ditën e saktë dhe për më tepër vendin se ku do të luhet kjo finale. Ekzistojnë dy variante, në stadiumin “Qemal Stafa” apo dhe në “Loro Boriçi”. Për Adën, kjo do jetë finalja e dytë, teksa të parën e ka luajtur po ndaj këtij kundërshtari dhe e ka fituar dy sezone më parë. Ndërsa për ekipin e Juban Danjës, kjo do jetë finalja e katërt në po kaq edicione të Kupës, nga të cilat ka humbur dy dhe ka fituar një, atë të sezonit të kaluar. Kush do fitojë këtë herë, Ada apo Juban Danja? Të presim!
www.shkodrasport.com