FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREShumë afrime në merkato, por vetëm një po bind tek Vllaznia

Shumë afrime në merkato, por vetëm një po bind tek Vllaznia

Shkruar nga Endri ÇINARI

Merkatoja e verës solli një ndryshim të madh në fytyrën e Vllaznisë. Nga porta deri në repartin ofensiv, kuqeblutë bënë rreth dymbëdhjetë afrime, duke tentuar të ndërtojnë një skuadër ndryshe nga ajo e sezonit të kaluar. Një revolucion i vërtetë në organikë, me shumë emra të rinj që erdhën për të dhënë më shumë alternativa dhe cilësi në dispozicion të stafit teknik.

Në Shkodër mbërritën futbollistë si Avram, Herald Marku, Emiljano Musta, Randi Dumfur, Dulize, Perez, Tunkara e të tjerë. Pritshmëritë ishin të mëdha, sidomos duke parë numrin e madh të afrimeve dhe nevojën për të ndryshuar një skuadër që sezonin e kaluar mbeti pa trofe. Por pas tri javëve të para të kampionatit, jo të gjithë të rinjtë kanë arritur të justifikojnë pritshmëritë.

Në fakt, deri tani vetëm një emër ka bindur plotësisht: Emiljano Musta. Mbrojtësi 35-vjeçar ka treguar eksperiencën dhe personalitetin e tij që në ndeshjet e para, duke u shfaqur si një prej pikave më të sigurta të kuqebluve. I aktivizuar në krahun e majtë, Musta ka dhënë kontribut si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në daljet përpara, duke sjellë atë qetësi që i ka munguar skuadrës në momente të caktuara.

Eksperienca e tij është padyshim një vlerë e shtuar për Vllazninë. Musta e njeh mirë kampionatin shqiptar, ndërsa personaliteti që ka treguar në këto tri javë e ka bërë atë një nga afrimet më të vlerësuara të merkatos në Shkodër. Në një moshë kur shumë futbollistë janë në fundin e karrierës, ai po tregon se ende ka shumë për të dhënë dhe se mund të jetë një pikë referimi për ekipin kuqeblu.

Ndërkohë, pjesa tjetër e afrimeve ka ende nevojë për kohë. Disa kanë treguar momente pozitive, ndërsa të tjerë nuk kanë dhënë ende atë që pritej prej tyre. Sigurisht, tri javë janë shumë pak për të dhënë një verdikt përfundimtar, ndaj në javët në vazhdim pritet një reagim nga të gjithë futbollistët e afruar gjatë verës.

Megjithatë, nëse do të bëhej një bilanc i parë i merkatos së Vllaznisë, deri tani Musta është ai që del mbi të gjithë. Për pjesën tjetër, kuqeblutë presin më shumë. Dhe nëse afrimet e verës nuk arrijnë të marrin ritmin dhe peshën e duhur në skuadër, atëherë kjo merkato rrezikon të cilësohet si një investim që nuk ka dhënë ende frytet e pritshme.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments