Pas një periudhe pauze, mesfushori i Vllaznisë Cristian Dros rikthehet sërish në kombëtaren e Moldavisë. Gazeta “Shkodra Sport” mëson se në zyrat e klubit shkodran ka mbërritur ftesa zyrtare e Federatës Moldave të Futbollit për ta lejuar lojtarin që t’i bashkohet kombëtares së vendit të tyre për ndeshjet e Nations League që do të zhvillohen gjatë muajve shtator dhe tetor.
Dros ka zhvilluar deri më tani 18 ndeshje me këtë kombëtare, por ftesa e fundit ka qenë ajo e vitit të kaluar kur luajti disa minuta në ndeshjen ndaj Norvegjisë, pikërisht më 9 shtator. Por disa dëmtime që pësoi gjatë aktivizimit me Vllazninë, bënë që 28 vjeçari të humbte edhe ftesën në kombëtare
Por tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe ai e ka nisur mbarë sezonin e ri duke qenë në formacionin kuqeblu në të tre ndeshjet e zhvilluara dhe si rrjedhojë e kësaj forme, ka ardhur edhe ftesa e kombëtares moldave për ndeshjet që ajo do të zhvillojë ndaj Sllovakisë, Ishujve Faroe dhe Kazakistanit.
Ftesa e Dros nv kombëtare është një lajm i mirë edhe për Vllazninë sepse aktualisht ai është i vetmi futbollist i saj pjesë e një ekipi përfaqësues dhe ky është një bonus për të.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


