FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREKonkurenca për portën, te Vllaznia “luftë” për një vend titullari

Konkurenca për portën, te Vllaznia “luftë” për një vend titullari

Shkruar nga Endri ÇINARI

Porta e Vllaznisë duket se ka gjetur sërish titullarin e saj. Aron Jukaj është rikthyer mes shtyllave dhe pas paraqitjes në ndeshjen e fundit, 21-vjeçari duket se po merr sërish statusin e numrit një tek kuqeblutë. Një situatë që ndryshon disi panoramën e krijuar në fillimin e këtij sezoni.

Jukaj e nisi verën si zgjedhja e parë e stafit teknik. Ai mbrojti portën e Vllaznisë në Kupat e Europës dhe pritshmëria ishte që të vazhdonte të njëjtin rol edhe në kampionat. Megjithatë, ardhja e Kristian Avram ndryshoi hierarkinë dhe portieri shkodran u detyrua ta niste sezonin nga stoli.

Moldavi Avram mori fanellën e titullarit në javët e para, por paraqitjet e tij nuk ishin në nivelin që pritej. Disa pasiguri në ndërhyrje dhe një nivel jo bindës në portë bënë që stafi teknik të rishikonte zgjedhjen e bërë në fillim të kampionatit.

Në këto kushte, Jukaj mori sërish mundësinë për të mbrojtur portën në ndeshjen e fundit. 21-vjeçari e shfrytëzoi këtë rikthim për të dhënë sinjalin se është gati të rimarrë vendin që kishte në fillim të sezonit, duke e bërë edhe më të hapur diskutimin për portierin titullar.

Tashmë, gjithçka tregon se Jukaj mund të jetë numri një i Vllaznisë në vazhdimësi. Për një portier të ri, rikthimi në formacion vjen në një moment të rëndësishëm për skuadrën, e cila ka nevojë për më shumë siguri në prapavijë pas startit të vështirë të kampionatit.

Megjithatë, rivaliteti për portën mbetet më i hapur se kurrë në Shkodër. Jukaj dhe Avram do të kenë përpara një garë të drejtpërdrejtë për fanellën e titullarit dhe performancat në stërvitje e në ndeshje do të përcaktojnë hierarkinë. Për momentin, duket se radha i takon shkodranit, por asgjë nuk mund të konsiderohet përfundimisht e mbyllur.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments