FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORETrajneri i ri, Vllaznia 'ndryshon' skemë

Trajneri i ri, Vllaznia ‘ndryshon’ skemë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Një prej detajeve që ra më shumë në sy në miqësoren e së shtunës mes Vllaznisë dhe Vllaznisë B ishte ndryshimi në vendosjen taktike të skuadrës kuqeblu. Përballë ekipit të dytë, Vllaznia u shfaq në një strukturë ndryshe nga ajo që ishte parë më së shumti gjatë periudhës së Edi Martinit, duke sjellë në fushë një tjetër mënyrë organizimi.

Gjatë pjesës më të madhe të ndeshjeve të fundit, Martini kishte preferuar skemën 3-5-2, një vendosje që ishte kthyer në një prej karakteristikave të skuadrës kuqeblu. Me largimin e teknikut dhe në pritje të nisjes së epokës së re, miqësorja e së shtunës solli një Vllazni me katër lojtarë në linjën e mbrojtjes dhe me një organizim që në momente të ndryshme ngjante me 4-3-3 apo 4-2-3-1.

Ky ndryshim nuk kaloi pa u vënë re as në tribunat e “Loro Boriçit”. Ekspertët dhe tifozët e pranishëm në stadium patën mundësinë të shihnin një strukturë më klasike me katër mbrojtës, ndërsa në faza të ndryshme të lojës vendosja ndryshonte sipas pozicionimit të mesfushorëve dhe lojtarëve ofensivë.

Megjithatë, mbetet ende një pikëpyetje se kujt i përket konkretisht kjo zgjedhje taktike. Në këtë takim, skuadra u drejtua nga zëvendëstrajneri Ergi Borshi, i cili ka marrë sërish përgjegjësinë e drejtimit në pankinë. Për këtë arsye, nuk mund të thuhet me siguri nëse kalimi nga 3-5-2 në një skemë me katër mbrojtës ishte një ide e tij për këtë test miqësor.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që prezenca e Csaba Laszlos pranë ekipit të ketë ndikuar, qoftë edhe në mënyrë indirekte, në mënyrën e organizimit të skuadrës. Trajneri hungarez, i cili tashmë është zyrtarizuar si drejtuesi i ri i Vllaznisë, e ndoqi ndeshjen nga pankina dhe kishte mundësinë të vëzhgonte nga afër futbollistët që do të ketë në dispozicion.

Për momentin, miqësorja me Vllazninë B nuk mund të merret si një konfirmim se kjo do të jetë skema e re e kuqebluve. Megjithatë, ndryshimi i parë është evident dhe tashmë vëmendja do të jetë te Laszlo dhe mënyra se si tekniku hungarez do ta ndërtojë skuadrën. Në ditët në vijim pritet të kuptohet nëse Vllaznia do të vijojë me një sistem me katër mbrojtës apo nëse 3-5-2 do të rikthehet në plan të parë.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments