Shkruar nga Endri ÇINARI
Daniel Perez ka dhënë një nga sinjalet më pozitive për Vllazninë në prag të rikthimit të kampionatit. Sulmuesi venezuelian ishte protagonist absolut në miqësoren e së shtunës, duke shënuar tre gola dhe duke tërhequr vëmendjen me paraqitjen e tij.
24-vjeçari nuk u mjaftua vetëm me finalizimet, por u shfaq edhe në një ritëm të kënaqshëm loje. Lëvizjet, kërkimi i topit dhe aktivizimi në fazën sulmuese treguan se Perez po fiton gradualisht besimin dhe ritmin e nevojshëm për të qenë më i dobishëm për skuadrën.
Paraqitja e tij vjen në një moment të rëndësishëm, sidomos për trajnerin e ri Csaba Laszlo, i cili po kërkon të njohë më nga afër elementët që ka në dispozicion. Tre golat e Perez janë padyshim një sinjal pozitiv në sytë e teknikut hungarez, i cili pritet t’i japë më shumë hapësirë sulmuesit venezuelian.
Në javët e para të këtij edicioni, finalizimi ka qenë një nga problemet kryesore të Vllaznisë. Shkodranët kanë krijuar raste, por kanë vuajtur për t’i konkretizuar ato, çka është reflektuar edhe në numrin e golave të shënuar.
Në këtë situatë, forma që po tregon Perez merr një rëndësi të veçantë. Sulmuesi latin ka nevojë ta konfirmojë këtë paraqitje edhe në ndeshjet zyrtare, por tre golat e miqësores dhe ritmi i shfaqur në fushë janë një bazë e mirë për të shpresuar në një rritje të nivelit të tij.
Vllaznia ka nevojë për më shumë alternativa dhe mbi të gjitha për lojtarë që mund të bëjnë diferencën në zonën kundërshtare. Perez duket se po jep sinjale se mund të jetë një prej tyre, në një periudhë kur kuqeblutë presin shumë nga reparti ofensiv për të ndryshuar situatën në kampionat.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


