Shkruar nga Endri ÇINARI
Humbja 2-1 ndaj Vorës në javën e nëntë të kampionatit ka lënë pas zhgënjim te Vllaznia, që tashmë kërkon të reagojë sa më shpejt. Shkodranët do të zbresin këtë të dielë në fushën e Skënderbeut, në një transfertë të vështirë, ku objektivi është rikthimi te rezultatet pozitive. Për këtë arsye, kuqeblutë po përgatiten me seriozitet për duelin e radhës, që merr rëndësi të veçantë për ecurinë e skuadrës.
Në prag të kësaj përballjeje, trajneri Csaba Lazslo po punon për të përcaktuar 11-shen që do të hedhë në fushë ndaj korçarëve. Nga sa është parë në seancat stërvitore, në portë pritet të rikthehet Jukaj, i cili duket i avantazhuar për vendin mes shtyllave. Ndërkohë, në repartin e prapavijës nuk parashikohen ndryshime të mëdha, me teknikun hungarez që pritet t’i besojë sërish të njëjtës linjë mbrojtëse.
Kështu, në krahun e djathtë pritet të luajë Bardhi, ndërsa në qendër do të pozicionohen Musta dhe Gurishta. Në të majtë, Avduli duket se do të konfirmohet si titullar, duke plotësuar katërshen e mbrojtjes. Një repart ku Lazslo kërkon më shumë siguri dhe përqendrim, sidomos pas golave të pësuar në ndeshjen e fundit ndaj Vorës.
Pikëpyetjet më të mëdha lidhen me mesfushën, ku konkurrenca për vendet në formacion mbetet e hapur. Mehmeti, Dros dhe Obina janë emrat që aktualisht duken më të avantazhuar për të nisur nga minuta e parë. Megjithatë, në seancat e fundit stërvitore kanë marrë vëmendje edhe Marku e Qato, të cilët janë në garë për një vend në këtë repart.
Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që trajneri të bëjë ndonjë ndryshim të momentit të fundit në mesfushë, në varësi të gjendjes së futbollistëve dhe planit taktik përballë Skënderbeut. Lazslo kërkon të gjejë ekuilibrin e duhur mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese, në një ndeshje ku Vllaznia nuk mund të përballojë një tjetër hap fals.
Sa i përket repartit ofensiv, Balaj pritet të jetë sërish pika e referimit në majën e sulmit, ndërsa nga krahët parashikohen Uldedaj dhe Murataj. Kjo është tresheja që duket se ka më shumë shanse për të nisur takimin, me shkodranët që shpresojnë të gjejnë rrugën e rrjetës dhe të rikthehen te një rezultat pozitiv. Gjithsesi, vendimi përfundimtar i Lazslos do të përcaktohet në prag të sfidës, ku Vllaznia synon të japë një përgjigje pas disfatës me Vorën.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


