Shkruar nga Admir URUÇI
Sulmuesi 19 vjeçar Seralb Hotaj është i pafat. Vetëm pak ditë pas firmosjes të së parës kontratë profesioniste me ekipin e zemrës- Vllazninë, ai është detyruar t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në gjurin e tij të djathtë dhe si rrjedhojë do të jetë i detyruar të qëndrojë disa muaj larg fushës së blertë.
Një dëmtim që vjen në momentin më të mirë të karrierës së tij, teksa po shfaqej si protagonist në çdo ndeshje me ekipin Vllaznia “B” dhe madje edhe shqetësimi që ka ndjerë i ka ardhur pikërisht në ndeshjen ndaj Naftëtarit, kur dhe shënoi golin e fitores por më pas u detyrua të largohej nga fusha për shkak të shqetësimeve që ka ndjerë.
Fillimisht u mendua se nuk do ishte diça serioze, por pas ekzaminimeve të specializuara ka rezultuar një dëmtim i ligamentit të gjurit dhe e vetmja zgjidhje ishte ndërhyrja kirurgjikale. Ajo tashmë është kryer në një nga spitalet më të mira të Romës në Itali, nga një kirurg me shumë eksperiencë dhe tashmë Seralbi është kthyer pranë familjes së tij për të nisur periudhën e rehabilimit.
Një dëmtim që padyshim e ka mërzitur shumë atë, familjen e tij por edhe trajnerin Brikeno Bizi i cili e konsiderohet pikë referimi në sulmin e skuadrës që ai drejton. Gazeta “Shkodra Sport” i uron shërim të shpejtë dhe një rikthim sërish aty ku e la, duke shënuar e duke shkëlqyer për Vllazninë.


