Kukësi tenton Mërgim Mavrajn. Nuk bëhet fjalë thjesht për një thashethem merkatoje, por më shumë se kaq. Gazeta “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se verilindorët i kanë bërë ofertë kapitenit të Kombëtares.
Burime të sigurta pranë nënkampionëve konfirmojnë se drejtuesit kërkojnë të përforcohen me shërbimet e mbrojtësit që luan te gjermanët e Ingolshtadt. Kur dihet që klubi kërkon që të shkojë larg në Ligës së Europës, pse jo deri në fazën e grupeve, pret që t’i shtojë organikës edhe emra “big”.
TRATATIVAT – Burime të gazetës pohojnë se drejtuesit të kampit kuksian ia kanë shprehur dëshirën 32-vjeçarit dhe i kanë bërë një ofertë për të qenë pjesë e tyre për sezonin në vazhdim. Dhe, duket se “mik” është futur edhe Valdet Rama.
Përgjigjja e parë nuk qenë pozitive, edhe pse mbrojtësi e ka vlerësuar interesin karshi tij. Kontrata që ka me ekipin aktual ka bërë që për momentin të mos thotë “po” direkt, edhe pse rënia në Bundesligën 3 ndoshta mund t’ia ndërrojë mendjen Mavrajt.
Rëndom ndodh që lojtarët e Kombëtares të mos e përshëndesin një transferim në Kategorinë Superiore, ndaj edhe vetë 32-vjeçari kërkon që luajë në nivele të larta jashtë vendit, ndonëse ekipi i Kukësit mund ta kënaqte edhe nga ana financiare.