Vllaznia po kalon një ecuri pozitive së fundmi dhe ka shpallur hapur kandidaturën për titullin kampion. Kuqeblutë kanë qenë në nivel të lartë kundër klubeve me emër të Superiores, por kanë lënë pikë me ekipet “e vogla”. Presidenti i Alban Xhaferi ka qenë pjesë e emisionit “Ora Sport” në “Ora TV” për të folur më tepër rreth Vllaznisë së tij.

“Duket sikur Vllaznia ka një motivim shtesë me ekipet e kryeqytetit dhe e ul ritmin kur vjen puna te ekipet e tjera. A mund të themi që Vllaznia do e kishte fituar titullin me kohë nëse gjithmonë do të kishte ndeshje vetëm me Tiranën dhe Partizanin?”, ishte pyetja që iu drejtua nga Klaudio Ndreca.

Një konstatim që është pranuar nga Xhaferi, i cili ka theksuar se titulli kampion fitohet me ekipet e vogla. Gjithashtu ka sjellë në vëmendje vështirësinë e kampionatit, ku këtë sezon ka edhe surpriza si ajo e Egnatias dhe Erzenit.

“Siç dihet, ne me ekipet e kryeqytetit kemi rivalizuar gjithmonë, sepse bëhet fjalë për bërthamën e futbollit shqiptar, për Tiranën, për Partizanin, për Vllazninë. Sigurisht që për ne është një kënaqësi dhe një vlerë e shtuar kur luajmë me ekipet e kryeqytetit, duke pasur para sysh edhe interesin që ekziston në dy tifozeritë respektive.

Ajo çfarë thoni ju është e vërtetë. Kampionati ka ekipe të tjera që duhen respektuar në maksimum dhe duhen vlerësuar. Prezantimi i Egnatias dhe Erzenit është një surprizë e jashtëzakonshme, sidomos e Erzenit, sepse po tregon që një ekip pa organizim dhe fazë përgatitore po ecën mirë. Këtu kemi edhe gabimet tona, nuk kemi arritur atë performancën e duhur. Prandaj kampionati duhet vlerësuar, ekipet e vogla të japin suksesin”, ka thënë Alban Xhaferi./Sport Ekspres/