Opinion nga Roland LUÇI

Nuk kam arritur kurrë të kuptoj një veprim të tillë, të mospërdorjes më të fanellës me një numër të caktuar në shpinë, ide e shpikur kushedi se di se në çfarë laboratori idiot dhe kopjohet majmunërisht tani dhe në Shkodër. Sinqerisht nuk arrij të krijoj asnjë lidhje me mospasjen më në dispozicion të numrit 9 te Vllaznia me figurën e një lojtari të caktuar, kushdo qoftë ky. Ekipi i futbollit, në këtë rast Vllaznia, presupozohet e “përjetshme”, kurse aktorët e saj të përkohshëm dhe nuk ka si të jetë ndryshe. Ne kemi pasur një tradite te shkelqyer qe presupozon vazhdimesine si simbol te jetes dhe riperteritjes-dhenien e fanelles nga lojtari qe largohet perfundimisht nga fusha e futbollit pasardhesit si pasqyrim logjik ne fund te fundit edhe te ligjeve te jetes:Trashegimia i dorezohet brezit te ri me shpresen qe nen ate simbolike te eci me perpara,ti thyej edhe rekordet e deritanishme te vendosura nga fanelle-mbajtësi. Tani po na predikohet e kundërta! Përveç kësaj, numrat e fanellave në futboll mishërojne një traditë mbi 100-vjeçare dhe sidomos disa prej tyre që janë të lidhura me pozicionet kyç në skuadër (ose si të thuash me pozicionet që bien më tepër në sy të publikut, se futbolli është një lojë kolektive dhe në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk mund të flitet për pozicione parësore apo dytësore) si ato te portierit, mbrojtesit te qendres,mesfushorit ofensiv apo qendersulmuesit te cilat tradicionalisht jane te lidhura me numrat 1,5,10 dhe 9 që në një farë mase janë dhe numrat më të “dëshiruar” për lojtarët në fjalë. Pse duhet të privojmë talentet e ardhshme nga mbajtja e një numri të tillë me një simbolikë emocionale të lartë?
Po të jetë se u nderoka lojtari duke i hequr nga qarkullimi numrin me të cilin ka luajtur, atëherë konkretisht te Vllaznia nuk duhej prej kohësh të mos kishte numrat që përmenda më sipër se ato i kanë mbajtur të mëdhenjtë P.Ndoja, R.Rragami, M.Zhega apo S.Bizi, mos me thënë që në një periudhë të caktuar do të duhej të kalonim me numra 4-shifrore se aktualet u janë lënë për “souvenir” ish-lojtarëve të dikurshëm, gjë që për mua është në kufijtë e absurditetit.
Nga ana tjetër të mos kesh lojtar në fushë me nr.9 në njëfarë mënyre të krijohet përshtypja se je pa qendërsulmues, pra as nga ana optike nuk do të ishte normale. Llogarisni sikur të mos kishim as numrin 1 të portierit, 10-tën e Zhegës etj, dhe do të kishim në fushë një ekip të veshur sharlatan; të paktën në pamje të parë.
Unë e konsideroj nder që jo vetëm të luash me fanellën e Vllaznisë, por dhe të mbash numrin e një paraardhësi të shquar si një pasuri dhe dedikim ndaj të cilit duhet shumë kontribut që ta meritosh.
Të paktën kështu ka qenë në kohën tonë…..